Tre kandidatët më të votuar deri më tani në të gjithë vendin, janë Edi Rama, Niko Peleshi dhe Taulant Balla. Të tre të PS-së. Por theksojmë se kjo gjë mund të ndryshojë, pasi janë ende shumë kuti për t’u numëruar, ndërkohë që në disa qarqe numërimi për votat preferenciale s’ka shumë që ka filluar. Ne i referohemi të dhënave deri në orën 13:00.
Kandidatët më të votuar në PS deri tani
Niko Peleshi deri më tani është kandidati më i votuar nga lista e kandidatëve të Partisë Socialiste në të gjitha qarqet, pas kryeministrit Edi Rama.
Ai kandidon i gjashti në Korçë dhe ka siguruar 10 mijë e 653 vota. Pas tij në këtë qark vjen ministrja e Jashtme Olta Xhaçka me 4202 vota.
Por edhe në rang kombëtar, Peleshi rezulton të jetë një ndër kandidatët më të votuar pasi deri tani vetëm kryeministri Edi Rama i cili kandidon i teti në Vlorë, ka marrë atje 10 mijë e 913 vota. Ndërsa në Durrës ku gjithashtu kandidon i teti në listë, deri tanimë Rama numëron vetëm 64 vota pasi atje numërimi i votave mes kandidatëve nuk ka shumë që ka nisur.
Pas tyre vjen Taulant Balla me 9 mijë e 26 vota. Ai ka lënë pas Saimir Hasallën i cili deri pak orë më parë kishte më shumë vota se ai, por tani ai numëron 8791 vota. Një tjetër kandidate e cila numëron më shumë vota është kandidatja socialiste e Dibrës, Aurora Mara me 8931 vota.
Kandidatët më të votuar në PD
Më i votuari në listat e Partisë Demokratike deri më tani rezulton kandidati i Kukësit, Flamur Hoxha me 9159 vota. Kukësi është qyteti i parë që i ka mbyllur të gjitha numërimet e votave, edhe për kandidatët preferencialë.
Pas Hoxhës, kandidati i dytë më i preferuar në radhët e PD-së sipas rezultateve të deritanishme gjithmonë vjen Dashnor Sula i Elbasanit me 9159 vota.
Ndërsa i treti është Ervin Salianji i cili kandidon në Korçë, me 5439 vota.
Bujar Leskaj i cili kandidon në Vlorë, ku përballë kishte kryeministrin Edi Rama në listën e rivalëve, ka 4908 vota.