Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi: “Fiks Fare” mashtroi, i shërbej votës së lirë e askush s’më shantazhon dot me lajme false


Kandidatja për deputete e PD-së në Tiranë, Albana Vokshi, ka akuzuar emisionin Fiks Fare në Top Channel për mashtrim lidhur me lajmin ku pretendohej se ajo kishte shpërndarë ushqime për votën në zgjedhjet e 25 prillit.

Vokshi sqaron në një reagim në Facebook se pavarësisht se u ka dalë krah mediave a gazetarëve të sulmuar nga pushteti, ka vendosur të mos heshtë pas lajmit që e akuzon për blerje votash.

Demokratja shkruan se ato që paraqiten si ndihma ushqimore për votën nga ‘Fiks Fare’ janë qese modeste për komisionerët e PD-së.

“Gjatë karrierës sime politike kam bërë gjithçka kam patur mundësi për t’u dalë në krah mediave apo gazetarëve të sulmuar nga pushteti për shkak të punës së tyre. Sot nuk mund të hesht, kur një media bëhet zëdhënëse e pushtetit për të mashtruar qytetarët dhe për të na paraqitur të gjithëve njësoj për blerjen e votave. Jo! Ne nuk jemi njësoj! Ne nuk blejmë vota me “ndihma” ushqimore, siç paraqet “Fiks Fare” me mashtrimin e tij. Pamjet e servirura si ndarje ndihmash natën para zgjedhjeve në Laprakë janë qese modeste me një pjesë të ushqimit të komisionerëve të PD për ditën e zgjedhjeve. Në qeset që u servirën si ndihma për blerje votash nga unë dhe PD në Laprakë ka 1 molto, 1 neskafe, 1 redbull.” – shkruan Vokshi.

Ajo shton më tej se qëllimi i emisionit Fiks Fare‘ që i shërben dy masakruesve të votës, Edi Ramës e Erion Veliajt, është që të parqiten sikur të gjithë janë njësoj e për të relativizuar masakrën e vlerjes së votës nga dyshja Rama-Veliaj.

“Është poshtëruese për qytetarët ky mashtrim i “Fiks Fare” vetëm e vetëm për t’i shërbyer pushtetit dhe dy masakruesve të votës së lirë, Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Qëllimi i mashtrimit është për të bërë të dukemi që ne jemi të gjithë njësoj dhe për të relativizuar masakrën e blerjes së votës nga Rama-Veliaj.

Ne nuk jemi njësoj!” – vijon Vokshi.

Në fund kandidatja për deputete thekson se PD-ja ka marrë në Laprakë një rezultat të jashtëzakonshëm duke qenë se shumica e qytetarëve donin largimin e qeverisë së padrejtë duke shtuar se PD-ja ka fituar edhe në ato lagje ku nuk kishte fituar më herët.

Vokshi e mbyll reagimin duke thënë se në një situatë normale do kishte kërkuar përgënjeshtrimin e lajmit të rremë nga ‘Fiks Fare’ por ka zgjedhur të mos e bëjë pasi askush nuk mund t’i bëjë presion, ta shantazhojë apo kërcënojë me lajme false.

“Partia Demokratike mori në Laprakë një rezultat të jashtëzakonshëm, sepse shumica e njerëzve donin largimin e këtij regjimi të padrejtë, që vjedh dhe ndëshkon qytetarët sipas interesit. Ne fituam edhe në lagje që nuk ishin fituar asnjëherë nga PD, sepse presionet, blerja me para, legalizime dhe marifete të tjera, nuk pinë ujë përballë nevojës për ndryshim dhe besimit tek Partia Demokratike. Në një situtaë normale, në të cilën media mund të konsiderohej e lirë, do të kisha kërkuar nga “Fiks Fare” përgënjeshtrim për këtë “lajm” të rremë. Ky nuk është rasti, sepse disa zgjedhin t’i shërbejnë parasë, disa të tjerë të vertetës, votës së lirë dhe demokracisë. Unë bëj pjesë tek kjo e dyta dhe askush nuk mund të më bëjë presion, të më shantazhojë dhe kërcënojë me lajme fallco”, mbyll reagimin Vokshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *