Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorët e huaj pas zgjedhjeve në Shqipëri: Duhet hetuar shitblerja e votës!


Fenomeni i shit-blerjes së votave ishte një nga denoncimet më të shpeshta që janë bërë gjatë këtyre ditëve lidhur me procesin zgjedhor, sidomos nga opozita.

Në medie kanë qarkulluar video të ndryshme të qytetarëve që pranojnë se kanë marrë para në këmbim të votës që kanë dhënë, incidente të shumta janë raportuar në ditët para zgjedhjeve me opozitën që akuzonte përfaqësues të PS-së se qarkullonin me makina me para, për të blerë votat. Madje PD tha se kishte ngritur grupe për mbrojtjen e votës në çdo qark, ku kemi parë dhe përplasje si ajo e Elbasanit që përfundoi me një humbje jete.

E në qëndrimet e ambasadave të Gjermanisë, Britanisë dhe SHBA-së në vendin tonë pas mbylljes së procesit të numërimit, nuk lihen pa përmendur denoncimet për shit-blerjen e votës.

Më shumë se të gjithë, Ambasadori gjerman Peter Zingraf thekson se të gjitha akuzat dhe parregullsitë, duhet të hetohen pa vonesë.

QËNDRIMI I AMBASADËS GJERMANE

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit, Ambasada Gjermane në Tiranë kërkon që të hetohen pa vonesë akuzat për blerjen e votave dhe të gjitha parregullsitë e denoncuara dhe regjistruara gjatë procesit zgjedhor.

 “Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblerjen e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme.”- thuhet në qëndrimin zyrtar të ambasadës, pas rezultatit të votimeve.

Ambasadori Peter Zingraf, uron Partinë Socialiste për fitoren dhe Partinë Demokratike për rritjen në këto zgjedhje, ndërsa u bën thirrje aktorëve politikë për bashkëpunim dhe pranim të rezultatit: “Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.”

Zingraf thekson se për Gjermaninë, është vendimtare rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ai thotë që pret nga të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim ndërsa i kujton qeverisë Rama të bëjë para me reformat.

QËNDRIMI I AMBASADËS AMERIKANE DHE DASH-it

Shtetet e Bashkuara nuk e theksojnë aq shumë fenomenin e shit-blerjes së votave, por ama gjithashtu kërkojnë hetim të shkeljeve që janë bërë duke penguar votën e lirë të qytetarëve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Ned Price, u mjaftua vetëm me urime për Ramën dhe thirrje për respektimin e rezultatit të zgjedhjeve, duke u interesuar vetëm për stabilitetin në vend.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, në një postim në “Twitter”, e cila bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve. Ama ajo kërkoi hetim për të gjitha shkeljet që janë bërë gjatë procesit zgjedho, duke thënë se: “Përsërisim se agjencitë ligjzbatuese dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar lirisht dhe paqësisht.”

QËNDRIMI I AMBASADËS BRITANIKE

Njëlloj si ambasadori gjerman, edhe ai britanik Duncan Norman kërkon të hetohen të gjitha parregullsitë në lidhje me zgjedhjet.

“Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin zgjedhor.”– thuhet në reagimin e ambasadorit Norman, i cili thekson se Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur Shqipërinë dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai gjithashtu e uroi kryeministrin Edi Rama dhe PS-në për fitoren ndërsa përmend që edhe fushatën e Partisë Demokratike, që sipas tij ishte e bazuar në programe: “Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat.”/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *