Parlamenti Evropian ka miratuar lëshimin e një ‘pasaporte të gjelbër’ për ata që vaksinohen kundër koronavirusit, por pozicioni i tij ndryshon ndjeshëm nga ai i Komisionit dhe Këshillit Evropian.
Të gjitha palët do të duhet të punojnë me shpejtësi të plotë nëse duan që certifikata të lëshohet para fundit të qershorit.
Kërkesa kryesore e Parlamentit Evropian është që certifikata – të cilën dëshiron të riemërtohet ‘Certifikatë Covid-19″ e jo ‘Pasaportë e Gjelbër’ e Komisionit – të zbatohet vetëm për njerëzit e vaksinuar me vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Nëse miratohet, kjo dispozitë do të përjashtojë Hungarinë dhe Sllovakinë, vende që kanë kanë përdorur vaksinën Sputnik V të Rusisë. Hungaria ka përdorur gjithashtu vaksinën Sinopharm të Kinës, e konsideruar gjerësisht me efektivitet të dyshimtë. EMA nuk ka aprovuar asnjë nga vaksinat në fjalë deri më tani, shkruan Ekathimerini.
Pozicioni i përbashkët i Këshillit Evropian është që vendet anëtare duhet të kenë mundësinë të përdorin vaksina të pamiratuara nga EMA dhe miratimi i vendimit të Parlamentit mund të shkaktojë një përplasje serioze.
Eurodeputetët gjithashtu dëshirojnë që njerëzit që mbajnë një certifikatë të tillë të përjashtohen nga rregullat e karantinës.
Eurodeputetët e konsiderojnë heqjen e karantinës për mbajtësit e certifikatave një çështje thelbësore për lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Zonës Shengen, një lëvizje e garantuar nga Traktati i Lisbonës i vitit 2007.