Presidenca nëpërmjet një deklarate për shtyp të zëdhënësit të saj Tedi Blushi ka akuzuar se është keqpërdorur numri i telefonit të Presidentit Ilir Meta, duke u dërguar mesazhe qytetarëve sikur të ishte presidenti.
Tedi Blushi ka bërë me dije se për këtë rast do kërkohet hetim ndërkombëtar.
““Në emër të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënoj me forcë konsumimin e veprës penale të keqpërdorimit të mesazheve telefonike, gjoja në emër të Kryetarit të Shtetit, nga disa persona të identifikuar, që sipas të dhënave të siguruara, kanë dërguar këto ditë mesazhe me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në adresë të disa qytetarëve. Këto akte të dëshpëruara, kanë autorësinë e atyre të cilët i blenë dhe i vodhën mandatet e deputetëve më 25 Prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot. Duke ju kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve, të cilët kanë marrë mesazhe të tilla, ju lutemi të na venë dijeni menjëherë.
Për këtë skandal kriminal të keqpërdorimit të numrit të Presidentit të Republikes do kërkohet hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar, pasi nëse institucionet tona do të ishin funksionale askush nuk do të guxonte të bënte akte të tilla të çmendura dhe të dënueshme ligjërisht, që mund të venë në rrezik serioz edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Falenderojmë ish-kryetarin e Bashkisë Berat, z.Petrit Sinaj, ish-kryetarin e Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu, deputetin Lefter Maliqi, ish-deputeten Silva Caka dhe shumë të tjerë, që na informuan menjëherë. Edhe njëherë ju kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve për shqetësimet, që u kanë krijuar mesazhe të tilla, që kanë vetëm një përgjegjës: Organizatën Rilindja. Është pikërisht kjo organizatë, që në mënyrë mafioze dhe të paligjshme rrëmbeu të dhënat personale të të gjithë qytetarëve për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi. Kur guxojnë të bëjnë një krim të tillë duke guxuar të fabrikojnë numrin zyrtar të telefonit të Presidentit të Republikës, ç’mund t’u bëjnë këta banditë qytetarëve të thjeshtë”-deklaroi Blushi.