Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë një tjetër reagim lidhur me zgjedhjet, ku pasi falenderoi fillimisht qytetarët për pjesëmarrjen masive në zgjedhje, thekson se vëmendja e të gjithëve, duhet përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Ai kërkon dhe një hetim urgjent dhe serioz mbi votat e pavlefshme.
“Falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët morrën pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.
Referuar të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, përllogaritet që nga rreth 2.242.147 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 1.661.885 qytetarë.
Duke patur parasysh pamundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës edhe përmes akteve të njëanshme normative, pjesëmarrja rekord më 25 prill e mbi 74% të qytetarëve rezidentë në Shqipëri me të drejtë vote, është shprehje e qartë e përgjegjësisë së lartë qytetare për fatet e vendit.
Ndërkohë që procesi zgjedhor vazhdon, e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz.”– shkruan Meta.
Ai thekson se deri në fund të procesit nuk duhet të ketë asnjë zhvendosje të fokusit nga hetimi i votave të pavlefshme.
“Asnjë zhvendosje fokusi, deri në fund të procesit!
I vetmi hetim i vlefshëm tani është hetimi i votave të pavlefshme!
Shashkat e provokatorëve kanë vetëm një qëllim, shpërqëndrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit.
Më i vlefshëm se kurrë, hetimi i votave të pavlefshme, me qetësi dhe transparencë maksimale!
Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor!“– përfundon Meta.