Lideri rus i opozitës Alexei Navalny është paraqitur në gjykatë me kokë të rruar dhe tejet i dobësuar dhe akuzoi presidentin Vladimir Putin se po përpiqej që të qeveriste Rusinë “përgjithmonë” dhe po kujdesej vetëm “mbajtjen e pushtetit”.
Kjo ishte paraqitja e parë publike e politikanit të opozitës që nga fillimi i vuajtjes së dënimit me 2.5 vjet burg, që mbështetësit e tij e shohin si ndëshkim për kritikën e tij të ashpër ndaj Kremlinit.
Navalny u burgos në shkurt dhe ka nisur një grevë urie prej më shumë se 30 ditësh, për të kërkuar kujdes mjekësor për dhimbjet akute që kishte në shpinë dhe mpirje të këmbëve. Porduket se greva e urisë ka bërë efektin e saj pasi ai duket si një njeri krejt tjetër pasi është dobësuar tejet shumë.
Ai tha se presidenti Putin ishte një “mbret pa rroba”, i cili po “plaçkiste njerëzit” dhe po u privonte rusëve një të ardhme. Rusët sipas tij po “shndërrohen në skllevër”, citon BBC.
Gjykatësi refuzoi apelin e Navalny-t kundër një gjobe për shpifjen ndaj një veterani Sovjetik të Luftës së Dytë Botërore i cili ishte shfaqur në një video pro-Kremlinit. Navalny tha se pesha e tij në burg kishte rënë në 72 kilogramë, e njëjtë me atë që peshonte në kohën kur ishte në shkollë.