Anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ka kërkuar edhe njëherë sot dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë.
Kadili dhe një grup tjetër demokratësh e kanë konsideruar kryetarin Basha si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve dhe sot kanë protestuar para selisë për dorëheqjen e tij.
Në një konferencë për mediat, Kadilli shpalli kandidaturën e tij për kryetar të PD-së.
“Pushteti përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarë nga blerja e votave te ndryshimi i Kodit. Provat individuale që do të publikohen së afërmi vetëm sa e provojnë fenomenin. Çdo provë duhet të ndëshkohet sipas ligjit.
Beteja ligjore nuk duhet të shërbejë për radikalizim politik. Çdo tensionim nuk i shërben interesin të demokratëve. Barrikada para portës nga ku Luzlim Basha u betua se nuk dorëzohet është e tepërt. Kërkoj mirëkuptimin e demokratëve që janë të trishtuar. Jam këtu për të rikonfirmuar vendimin tim për të kandiduar si kryetar. I kërkoj edhe njëherë Bashës dorëheqjen. Projekti i ekipit të tij u prodhua i pa aftë. E kam mbështetur nuk ia doli, nuk fitoi, nuk qe i zoti dështoi. Sot të gjithë mund të gjejnë justifikimin por jemi katër vjet në opozitë. Kush thërret ‘Rama ik’, nuk mund të thotë ‘Basha rri’.
Këtë deklaratë në këtë udhëtim që kam nisur dëshiroja ta bëja në ambientet e PD, kam kërkuar hapësira, por si njeri që ka hapësirën e vetëm në partinë e lirisë. Shpresoj që këto të jenë keqkuptime dhe të zgjidhen shpejt dhe tu flasë anëtarëve nga selia.”- deklaroi Kadilli.
Gjatë konferencës, Kadili tha se nëse qytetarët zgjedhin një thes me miell përballë votës për të, ky është problemi i Lulzim Bashës pasi është ai që duhet t’i japë vlerë votës.
“Lulzim Basha ka detyrën e parë që të mos ia vjedhin. Ai duhet t’i japë vlerë votës që askush të mos e shesë votën. Nëse vota zgjedh me Lulzim Bashës dhe një thesi me miell, ky është problemi i Lulzim Bashës. Zgjedhjet në PD kanë një afat statutor.”- është shprehur ai.