Met
Presidenti Ilir Meta tha më herët në një konferencë për mediet se ai do të vijojë të qëndrojë në Presidencë deri më 24 korrik të vitit 2022, dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama se do ta shkarkojnë brenda kësaj legjislature, ai i ka konsideruar si “shashka”.
Por Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e tij. “Shqiptarja.com” shkruan se një mesazh ka mbërritur sot në telefonat e deputetëve socialistë, të cilët njoftohen se PS-ja ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit.
“Të dashur, bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te inicijojme Proceduren e Shkarkimit të Presidentit te Republikes. Për këtë qëllim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës së Grupit Parlamentar për të firmosur PROPOZIMIN PER SHKARKIMIN E PRESIDENTIT.”- thuhet në këtë mesazh që ka mbërritur në telefonat e deputetëve të PS.