Rusia ua ndaloi hyrjen tetë zyrtarëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që BE-ja i vendosi Rusisë.
Ministria e Jashtme ruse tha se të ndaluarit përfshijnë nënpresidenten e Komisionit Evropian, Vera Jourova, dhe presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.
“Bashkimi Evropian vazhdon politikën e masave të njëanshme, kufizuese dhe të paligjshme, që kanë në shënjestër qytetarët dhe organizatat ruse”.
“Veprimet e tilla nga Bashkimi Evropian nuk lënë asnjë dyshim se qëllimi i tyre i vërtetë është të frenojnë zhvillimin e vendit tonë me çdo kusht”, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme ruse.
Muajin e kaluar, BE sanksionoi dy rusë të akuzuar për persekutimin e homoseksualëve dhe lezbikeve në rajonin rus të Çeçenisë.
Në të njëjtin muaj, BE sanksionoi edhe katër zyrtarë të lartë rusë, të afërt me presidentin Vladimir Putin.