Ashtu siç edhe pritej, humbja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 ka përfshirë Partinë Demokratike në një vorbull konflikti, duke provokuar ndarjen e partisë në dy kampe, pro dhe kundra Lulzim Bashës. Anëtarë dhe ish-anëtarë të forumeve të larta të PD-së, përpos kërkesës për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, si një projekt i dështuar i Sali Berishës dhe humbës sistematik, pretendojnë se Basha ka shitur vendet për deputet në listën e Partisë Demokratike.
Akuza e rëndë është artikuluar nga Arben Imami, ish-ministër në qeverinë ‘Berisha’, një nga firmëtarët për dorëheqjen e Lulzim Bashës. Sipas Imamit, kandidatët kanë paguar para edhe në 2017 dhe në 2021 për të hyrë në listën e kandidatëve për deputetë që mban firmën e Lulzim Bashës.
“Zgjedhjet janë humbur që në maj të 2017. U shkallmua rregulli i brendshëm i PD-së. Nuk u përfillën institucionet e saj. U pastruan njerëzit nga lista. Janë futur njerëz në listën e deputetëve me vende të blera me para. E njëjta gjë ka ndodhur edhe sot. Paguajnë para. Këto qarkullojnë haptazi në Partinë Demokratike. Unë po them se janë paguar para edhe atëherë dhe tani. Nuk nderohet në një parti në këtë mënyrë, por kjo është më e fundit. Le të dalë ta përgënjeshtrojë po të dojë. Po nuk po merremi me këtë. Pse po çuditesh? Nuk e ke dëgjuar ndonjëherë?”, tha Imami në Top Talk, duke i kërkuar edhe një herë Bashës të japë dorëheqjen pasi ka humbur zgjedhjet e 2015, 2017, 2019 dhe 2021.
Ndonëse akuza e Imamit është vështirë për t’u provuar, lista e kandidatëve për deputetë e shpallur nga Lulzim Basha, prodhoi befasi dhe dyshime, madje edhe përplasje në PD në prag të zgjedhjeve, pasi u anashkaluan forumet dhe komisioni ‘Nishani’, i ngritur për filtrimin e kandidatëve. Komisioni ‘Nishani’ trumbetua fort nga Basha si një praktikë moderne dhe demokratike. Po çfarë ndodhi? Të përjashtuarit nga komisioni ‘Nishani’, i ngritur mbi bazën e një vendimi të Lulzim Bashës, befas u vendosën në krye të listës po nga Lulzim Basha, sigurisht me miratimin e Berishës. Gjithashtu, personazhe që u refuzon me votë nga baza e PD-së në zgjedhjet për kandidatët, Basha i vendosi në pozicione fituese dhe në krye të qarqeve. Biznesmenë dhe ish-drejtorë të akuzuar për korrupsion madhor, gjithashtu u përfshinë në listë dhe do të jenë deputetë të PD-së, jashtë strukturave dhe filtrit të komisionit ‘Nishani’.
Një akuzë të ngjashme me të Arben Iamamit, e ka artikuluar edhe ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në vitin 2017.
“A ka deputet të PD-së që kanë paguar për kandidimin? Ka zëra që flasin. Ku ka zë nuk është pa gjë. Aty nuk shkon më asnjë demokrat pasi z. Basha i ka zëvendësuar njerëzit e PD-së me klientët e gruas dhe kunatit. Unë nuk marr telefonata nga drejtoresha e biznesit të kunatit dhe unë prandaj jam larguar nga Lulzim Basha… Lulzim Basha i ka shitur zgjedhjet e 25 Qershorit. Politika është mision, nuk mjafton një dëshirë apo një urdhër e një familjari për të bërë një njeri deputet. Kjo nuk është lista e PD-së por e familjes Basha-Isufi. Një listë që nuk ka asnjë kriter politik nuk mund të funksionojë”, tha Topalli në 2017.
Pretendimin se Lulzim Basha shet vendet në listën e kandidatëve për deputetë e ka artikuluar edhe Genc Ruli, ish-funksionar i lartë i PD-së dhe ish-ministër. Në korrik të vitit 2017, Ruli thoshte se “Basha me deklaratën e tij justifikuese e banale tregoi që dinjiteti personal është gjeja më e fundit që e shqetëson atë. Normalisht për një individ që e mori “lidershipin” e PD si dhurate në “pajë” nga Berisha dhe që i bëri programet e listat jo me zyrtarët e PD, por me gruan e kunatin”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com