Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia e Durrësit për ndarjen e 40 milionë eurove: S’ka lidhje me zgjedhjet, s’ndalemi nga balta e atyre që kalojnë nga humbja në humbje


Bashkia Durrës ka reaguar pas publikimit dhe lajmit mbi shpërndarjen e 40 milionë eurove në llogaritë e mijërave familjeve në periudhën mars-prill 2021.

Bashkia deklaron se kjo nuk ka të bëjë aspak me zgjedhjet po ka të bëjë me shpërndarjen e grantit për rikonstruksionin e banesave që ka nisur që në fillim të vitit 2020.

“Nëpër medie të ndryshme është përhapur një lajm sipas të cilit Bashkia e Durrësit ka shpërndarë grantin e rikonstruksionit për familjet e prekura nga tërmeti, në muajt mars dhe prill dhe se këto paskan qenë lekë për vota, pra pretendohet që proçedurat e ligjshme të proçesit të rindërtimit mund të ketë qëne ndikuese në proçesin zgjedhor. Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se procesi i shpërndarjes së grantit për rikonstruksion ka nisur që në fillim të vitit 2020 dhe është kryer sipas të gjitha procedurave të përcaktuara me VKM si dhe të miratuara në këshillin bashkiak me transparencë të plotë, pasi këto vendime janë të publikuara të gjitha në faqen zyrtare të bashkisë, ndërkohë që procesi vijon edhe këtë vit. Dhënia e këtij granti familjeve të Durrësit që do të rregullojnë shtëpitë e tyre është një nga etapat e procesit të rindërtimit i cili përfshin edhe dhënien e bonusit të qerave, rindërtimin e pallateve dhe banesave individuale, rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve, rindërtimin e shkollave e kopshteve, riforcimin për pallatet me shkallë dëmi DS4.” – thuhet në deklaratën e bashkisë Durrës.

Më tej bashkia Durrës bën me dije se procesi i rindërtimit ka nisur që në dhjetor 2019 e vijon ende pa ndërprerje. Në deklaratën e saj thuhet se shpërndarja e grantit nuk ka të bëjë aspak me zgjedhjet por me strehimin sa më të shpejtë të familjeve të mbetura pa shtëpi pas tërmetit.

“I gjithë procesi i rindërtimit ka nisur në dhjetor 2019 dhe vijon pa ndërprerje edhe tani. Bashkia Durrës po vijon proçesin e rindërtimit referuar Aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019 “Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Dhënia e grantit për rikonstruksion familjeve të prekura nga tërmeti ashtu si të gjitha proceset e tjera të rindërtimit nuk kanë të bëjnë fare me zgjedhjet apo me votat por ka të bëjë me strehimin sa më të shpejtë të familjeve të mbetura pa shtëpi dhe me kthimin e qytetit në normalitet pas atij tërmeti tragjik. Mos vallë opozita apo ata që shkruajnë lajme të tilla dëshironin që katër muajt e parë të vitit 2021 të ndërpritej procesi i rindërtimit dhe familjet durrsake të vazhdonin të qëndronin jashtë sepse qenka fushata dhe zgjedhjet?! Gjithashtu në lajm thuhet se në 2021 janë shpërndarë grant rikonstruksioni për 4294 familje por nuk thuhet (pa dashje apo me dashje) se sa janë familjet që kanë përfituar këtë grant në vitin 2020. E pra për të qenë deri në fund transparent, ashtu siç është Bashkia e Durrësit kundrejt të gjithë qytetarëve, në vitin 2020 kanë përfituar 10697 familje grantin e rikonstruksionit dhe në gjysmën e parë të vitit 2021 kanë përfituar 4294 familje.” – vijon deklarata.

Në fund bashkia e Durrësit shton se artikulli në media është urdhëruar dhe se procesi nuk mund të ndërpritej në katër muajt e parë të vitit 2021, pasi kjo do ndëshkonte nxënësit që duhet të hynin në shkolla e mijëra familje pa shtëpi.

“Sipas logjikës të atyre që urdhëruan artikullin dhe të atyre që e shkruan, katër muajt e parë të 2021 procesi i rindërtimit duhej ndërprerë, pra nxënësit nuk duhej të hynin në shkollat e reja dhe mijëra familje duhej të qëndronin jashtë se nuk marrin dot grantin për të riparuar apartamentet apo qindra familje të tjera nuk duhej të hynin në banesat e reja individuale por të flinin në çadra sepse përndryshe u konsideroka skemë për të marrë vota?! Bashkia e Durrësit kërkon të sigurojë të gjithë qytetarët se procesi i rindërtimit vijon me ritme të shpejta dhe nuk ndërpritet nga balta që hedhin ata që kalojnë nga humbja në humbje. Ky proces rindërtimi bëri të mundur ringritjen e qytetit dhe në pranverën e 2022 gjithçka do të përfundojë. Ringritja dhe transformimi i Durrësit janë një realitet që e shohin dhe e përjetojnë të gjithë qytetarët e Durrësit.” – mbyllet deklarata.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *