Këshilli i BE-së miratoi një marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi midis bllokut dhe Britanisë. Marrëveshja për marrëdhëniet e ardhshme të të dy palëve, e arritur në 24 dhjetor dhe miratuar të mërkurën nga Parlamenti Evropian, hyri në fuqi sot pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Ky ratifikim i fundit përfundon zyrtarisht procesin e Brexit, të shkaktuar nga një referendum i vitit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar.
“Sot ne hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona me Mbretërinë e Bashkuar,” komentoi Ana Paula Zacarias, Sekretare për Çështjet Evropiane në Porrtugali në emër të presidencës së rradhës të Këshillit të BE.
“Ne e vlerësojmë Mbretërinë e Bashkuar si një fqinj i mirë, një aleat i vjetër dhe një partner i rëndësishëm,” shtoi ajo, duke shprehur shpresën se marrëveshja do t’i shërbente ‘interesave të qytetarëve dhe biznesit në të dy anët.
Mbretëria e Bashkuar u largua zyrtarisht nga BE pas 47 vitesh anëtarësim në 31 Janar 2020, por partnerëve iu desh gati një vit për të rënë dakord mbi lidhjet e ardhshme ekonomike.
Marrëveshja tregtare përfshin zero kuota dhe zero tarifa me kërkesa të rrepta mbi rregullat e konkurrencës së ndershme për operatorët ekonomikë.