Agjencia Amerikane e Hapësirës ka njoftuar se po zgjat misionin e saj të helikopterit në Mars. NASA tha se tre fluturimet e para të dronit të quajtur Ingenuity, kishin punuar aq mirë sa që tani do të kalonin nga një demonstrim në një fazë operacionale.
Faza e re do të zgjasë për 30 ditë të tjera marsiane – ose Sols – por ekipi tha se ata shpresojnë se mund të zgjatet më tej.
“Performanca teknike ka qenë fantastike dhe po tejkalon të gjitha pritjet tona.”– tha MiMi Aung, menaxheri i projektit Ingenuity. “Nuk mund t’ju them se sa të emocionuar jemi për këtë fazë të re.”
Fluturimi i Ingenuity në 19 Prill hyri në histori si fluturimi i parë i mundësuar në një planet tjetër.
Helikopteri me peshën 1.8 kg u ngrit në një atmosferë jashtëzakonisht të hollë marsiane dhe u ngrit në një lartësi prej 2 metrash për rreth 40 sekonda para se të ulej. Për fluturimin e tij të dytë dhe të tretë, pajisja fluturoi më larg, duke u ngritur në një lartësi prej 5 metrash, vijoi të lëvizte dhe për 50 metra derisa u kthye në vendin e saj të uljes.
Siç shkruan BBC, plani fillestar i Nasa ishte që të kryente dhe dy fluturime të tjera. Por njoftimi i së Premtes përbën një ndryshim të kursit. Agjencia amerikane e hapësirës tha se është aq e kënaqur me performancën e helikopterit, saqë dëshiron ta shtyjë më tej misionin.