Koreja e Veriut ka sulmuar administratën e Joe Bidenit që po përgatitet të zbulojë strategjinë për programin bërthamor të Pyongyang-ut.
Ministria e jashtme tha se komentet e fundit nga Uashingtoni treguan se Presidenti Joe Biden ishte i vendosur të mbante një “politikë armiqësore”, shkruan BBC.
Më parë këtë javë, Bideni e quajti programin bërthamor të Koresë së Veriut një “kërcënim serioz” për sigurinë globale.
Shtëpia e Bardhë thotë se ai planifikon të mbajë një qasje të “kalibruar” me Korenë e Veriut.
Zëdhënësja Jen Psaki tha të premten se një rishikim i politikës amerikane kishte përfunduar dhe sugjeroi që presidenti Biden kishte mësuar nga përvoja e katër administratave të mëparshme, që janë përpjekur dhe kanë dështuar ta detyrojnë Korenë e Veriut të braktisë programin e saj të armëve bërthamore.
“Politika jonë nuk do të përqëndrohet në arritjen e një ujdie të madhe, dhe as nuk do të mbështetet në durimin strategjik.”– tha Psaki, duke shtuar se në vend të kësaj SHBA do të ndiqte një “qasje praktike të kalibruar që është e hapur dhe do të eksplorojë diplomacinë” me Korenë e Veriut ndërsa bën “progres praktik” në rritjen e sigurisë për SHBA-në dhe aleatët e saj.
SHBA pritet të presë këshilltarët e sigurimit kombëtar të Japonisë dhe Koresë së Jugut për një diskutim.
Në një deklaratë për mediet shtetërore, ministria e jashtme e Koresë së Veriut i quajti komentet e presidentit Biden komentet në lidhje me programin e saj bërthamor “të patolerueshme” dhe një “gabim të madh”.