Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Moderna.
Lajmin e konfirmoi agjencia të premten, duke e bërë Modernën vaksinën e pestë që i jepet statusi për përdorim emergjent.
“Objektivi është të vendosim ilaçe, vaksina dhe diagnostikim sa më shpejt të jetë e mundur për të adresuar urgjencën.”– tha OBSH në një deklaratë, citon Reuters.
Ndihmës Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së Mariangela Simao, tha se ishte e rëndësishme të kishim më shumë vaksina për shkak të problemeve të furnizimit me doza të tjera, duke përmendur këtu Indinë, që është burimi kryesor i vaksinave për programin global të ndarjes së vaksinave të COVAX-it. Por India i ka kufizuar eksportet për shkak të një krize infeksionesh.
Vaksina e Pfizer dhe BionTech ishte e para vaksinë që mori miratimin e përdorimit emergjent të OBSH-së në 2020-ën.
Që nga ajo kohë, OBSH-ja ka shtuar në listë vaksinat e Astrazenecës, Institutit të Serumit të Indisë dhe Johnson & Johnson.