Të paktën pesë civilë dhe një oficer policie kanë vdekur gjatë protestave kundër një reforme qeveritare të taksave në Kolumbi që nga fillimi i kësaj jave, tha Avokati i Popullit i vendit.
Avokati i Popullit Carlos Camargo tha se tre civilë vdiqën në qytetin Cali, një në Bogota e një civil në Neiva ndërsa një oficer policie kishte humbur jetën në Soacha, duke cituar shifra nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Tre vdekje të tjera po hetohen, tha Camargo.
Të paktën 179 civilë dhe 216 oficerë policie janë plagosur që nga fillimi i protestave, shtoi ai.
“Dhuna e ashpër e tre ditëve të fundit, e cila nuk ndalet, është një sulm kundër së drejtës për të protestuar dhe për këtë arsye autoritetet kanë detyrimin jo vetëm për të luftuar vandalizmin, por për të shoqëruar dhe garantuar një protestë paqësore,” tha Camargo.