“SpaceX” ka kthyer në mënyrë të sigurt katër astronautë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës këtë të dielë, duke shënuar zbritjen e parë natën të ekuipazhit amerikan që nga Apollo 8.
Kapsula e quajtur “Dragon” u hodh me parashutë në Gjirin e Meksikës në brigjet e Panamasë pak para orës 3 të mëngjesit, duke i dhënë fund fluturimit të dytë astronaut për kompaninë e Elon Musk.
Ishte një udhëtim i shpejtë për në shtëpi, që zgjati vetëm 6 orë e gjysmë.
Astronautët Mike Hopkins, Victor Glover, Shannon Walker dhe Soichi Noguchi, tre amerikanë dhe një japonez fluturuan në këtë kapsulë në muajin nëntor për në Qendrën Hapësinore Kennedy të NASA-s.
“Ne ju mirëpresim përsëri në planetin Tokë dhe ju falënderojmë për fluturimin e SpaceX.”– tha misioni i Kontrollit të SpaceX, citon AP.
Me 167 ditë në Hapësirë, misioni i këtyre astronautëve ka qenë më i gjati që është nisur ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara.
Astronautët ishte planifikuar të ktheheshin në Tokë më 29 prill, mirëpo misioni tyre është shtyrë për shkak të erërave të mëdha.
SpaceX planifikon të realizojë një mision privat në Hapësirë në muajin shtator, dhe një tjetër me astronautë të NASA-s në tetor.
Kompania në pronësi të Elon Musk, ka kryer fluturimin e parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në maj të vitit 2020, duke i dhënë fund varësisë së NASA-s ndaj Rusisë për dërgim të astronautëve atje.