Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtuan sot ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e Pashkëve.
Për shkak të Covid-19 dhe orës policore, mesha e cila do të duhej të mbahej në mesnatë, u zhvillua mëngjesin e sotëm në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë.
Në këtë ditë të veçantë, ka patur mesazhe urimi për besimtarët nga politika dhe diplomatët e huaj në Shqipëri.
Ilir Meta:
Presidenti Ilir Meta publikoi një foto së bashku me bashkëshorten e tij, njëkohësisht kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Në një foto ku shfaqen duke konsumuar një kafe nën rrezet e diellit, Meta shkruan: “Gëzuar Pashkën !Drita e kësaj Dite të Shenjtë të ngrohë zemrat dhe të ndriçojë gjithmonë familjet tuaja me shpresë, mbarësi dhe gëzim!”
Monika Kryemadhi:
Edhe zonja Kryemadhi publikoi një foto krah të shoqit të saj nga kjo “kafe së bashku”, duke uruar që kjo festë të sjellë bekime për të gjitha familjet shqiptare.
“Miq dhe dashamirës, GËZUAR nga ne të dy! Zoti është i madh dhe gjithmonë pranë atyre që besojnë tek e mira. Bekime për ju dhe familjet tuaja.”- shkruan Kryemadhi.
Lulzim Basha:
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga ana tjetër ka publikuar një foto peizazhi nga lindja e diellit me mesazhin e urimit: “Të gjithë besimtarëve ortodoksë ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët!Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të mundë çdo sfidë, dhimbje dhe padrejtësi.Zoti e bekoftë Shqipërinë!”
Gramoz Ruçi:
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi thotë se festa e Pashkëve jep një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj, apo se ata që pushtohen nga urrejtja e mëritë duhet dhe do të çlirohen prej tyre.
“Të gjithë besimtarëve ortodoksë u uroj Gëzuar Pashkët! Gëzimi i festës së Pashkëve rrezaton e lumturon të gjithë besimtarët e qytetarët. Është një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj; ata që pushtohen nga urrejtja e mëritë duhet dhe do të çlirohen prej tyre; ata që humbasin fuqinë dhe besimin, një ditë do t’i rifitojnë ato. Gëzimi i Pashkëve shpërndahet si drita e diellit. Rrezet e dritës largojnë natën dhe sjellin ditën; rrezet e gëzimit paskal largojnë dëshpërimin dhe ringjallin shpresën e besimin.”– shkruan Ruçi.
Erion Veliaj:
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një kolazh fotosh nga Shehsi Skënderbej i mbushur me vezë dhe uron: “Gëzuar Pashkët
Mbarësi e shëndet në familjet tuaja!
Kjo ditë na ndihmoftë të gjithëve për të ringjallur shpresat te jeta më e mirë dhe për të tejkaluar sfidat me besim, dashuri e në harmoni të plotë.”
Ambasadat e SHBA-ve de BE-së:
Ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë kanë uruar gjithashtu besimtarët ortodoksë për Pashkët.
“Gëzuar Pashkën Ortodokse nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA në Tiranë! Ju urojmë shpresë në këto ditë të bukura pranvere. Festofshim së bashku këtë ditë të fillimeve të reja, ndërsa vazhdojmë të luftojmë COVID-19 dhe të njohim kontributin e jashtëzakonshëm të punonjësve shëndetësorë të cilët do ta kalojnë këtë të ditë të shenjtë duke punuar për të ruajtur shëndetin e komuniteteve tona”.- thuhet në mesazhin e ambasadës Amerikane.
Ndërsa në mesazhin e BE-së: “Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve orthodoksë shqiptarë! Ju urojmë një Pashkë të shenjtë e cila mbush jetën tuaj me gëzim, pozitivitet dhe paqe.”