Pavarësisht se vendi është një nga më të pasurit në botë, Zvicra nuk është e paprekshme ndaj problemit të të pastrehëve. Një studim i vitit 2019 zbuloi se në Bazel, qyteti i tretë më i populluar i vendit, 100 njerëz jetonin në rrugë, ndërsa 200 të tjerë qëndronin me miq ose të njohur.
Qyteti në fjalë ka dalë me një mënyrë të pazakontë për të trajtuar çështjen e të pastrehëve – duke i dërguar të pastrehët në qytete të tjera evropiane. Sipas gazetës lokale ‘20 Minuta’, autoritetet u ofrojnë njerëzve të pastrehë kupona udhëtimi në çdo destinacion në Evropë si dhe 20 franga zvicerane si lekë xhepi.
Sipas ‘Le News’, 31 persona e kanë pranuar tashmë ofertën. Toprak Yergu, një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë së Bazelit, i tha gazetës se çdo individ i pastrehë tani mund të kërkojë një masë të tillë.
Sidoqoftë, individët duhet të nënshkruajnë një kontratë, duke premtuar të mos kthehen më në Bazel ose Zvicër për një periudhë të caktuar kohe. Toprak Yergu tha se njerëzit e kapur duke shkelur kontratën do të dëbohen nga vendi.
Kritikët e masës e quajtën atë ‘pastrim rrugësh’. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet në Zvicër përdorin masa polemizuese. Në vitin 2014, zyrtarët në Gjenevë gjobitën një grua të pastrehë me 500 franga (547 dollarë) për lypje në rrugë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut më vonë e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi qytetin t’i paguante gruas kompensim me vlerë 1,108 dollarë, shkroi ‘Le News’.
Në vitin 2016, autoritetet në kantonin Vaud ndaluan lypjen në zonë. Pavarësisht nga një protestë publike dhe përpjekjeve të shumta nga grupet e të drejtave të njeriut për të përmbysur masën, ai betet ende në fuqi.