Të paktën tre njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një anije me emigrantë u përmbys në San Diego, Kaliforni.
Thirrja e parë u mor rreth orës 10 të mëngjesit me kohën lokale duke nxitur një operacion masiv shpëtimi për shumë agjenci, duke përfshirë Rojen Bregdetare të SHBA-së, Departamentet e Zjarrit dhe Policisë në San Diego, punonjësit e portit dhe rojet e parkut.
Sidoqoftë, në kohën kur arritën shpëtuesit, anija 12 metra e gjatë përfshirë në aksident ishte bërë tashmë copë-copë pasi goditi një shkëmb në bregun e Monumentit Kombëtar Cabrillo.
Tre persona u shpallën të vdekur, ndërsa shtatë u shpëtuan nga uji dhe gjithsej 27 u transportuan në spitalet lokale. Autoritetet besojnë se kishte në bordin e anijes rreth 30 persona dhe shumica e tyre arritën të dilnin në breg.