Vendosni fjalën kyçe....

A ështe Fatbardh Kadilli një “pykë” e Lulzim Bashës?


Dy ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ish-deputeti i PD-së Fatbardh Kadilli kërkoi dorëheqjen e kreut të selisë blu, Lulzim Basha.

Në një reagim në Facebook, ish-anëtari i kryesisë së PD-së bënte përgjegjës Bashën për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit dhe ndërsa i kërkonte atij dorëheqjen, shpalli edhe kandidaturën e tij për kreun e PD-së.

Po çfarë deklaronte tre vite më parë, Fatbardh Kadilli?

Në një reagim në prill të vitit 2018, një vit pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, Kadilli, në cilësinë e anëtarit të grupit që kishte punuar për statusin e partisë, deklaronte se dorëheqja e kryetarit të partisë pas humbjes në zgjedhje nuk mund të sanksionohej në status.

Ai e justifikonte këtë qëndrim me argumentin se një gjë e tillë e mbante luftën në PD përherë të hapur dhe se nuk mund t’i kërkohej dorëheqja kryetarit të partisë në rastin kur shitblerja e votës është kthyer në sistem.

Në fund të qëndrimit të tij ‘të ftohtë e të distancuar’, Kadilli shkruante se e keqja e Shqipërisë është Edi Rama dhe se duhej një bashkim i madh për të shpëtuar vendin.

Lë të kthehemi prapë në 27 prillin e vitit 2021.

Teksa rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit po i afroheshin fundit dhe ishte bërë e qartë se PD-ja i kishte humbur zgjedhjet, kreu i saj, Basha, doli një pasdite në oborrin e selisë blu dhe mbajti një deklaratë duke thënë se vota e shqiptarëve ishte manipuluar dhe se në këto kushte PD-ja nuk mund t’i njihte zgjedhjet.

Duke pasur pas vetes emrat e kandidatëve fitues në zgjedhje, Basha tha se lufta për demokraci e votën e lirë e të ndershme kishte nisur dhe se PD-ja nuk do dorëzohej po do luftonte për të faktuar shitblerjen e manipulimin e vullnetit të shqiptarëve.

Gjë për të cilën fliste edhe Kadilli i vitit 2018, kur pohonte se nuk mund t’i kërkohej dorëheqja kryetarit të partisë kur sistemi i shitblerjes së votës është kthyer në sistem. Gjë të cilën Kadilli i vitit 2021 nuk e mori për bazë në kërkesën e tij për dorëheqjen e  Bashës pas humbjes së 25 prillit.

Epilog

Një ditë më parë, mëtuesi për kreun e PD-së, Fatbard Kadilli, ishte i ftuar në Nova Media, në një emision online ku komentoi zgjedhjet e 25 prillit.

I pyetur nga gazetari, mbi akuzat se kishte pasur lidhje me Fondacionin Soros, Kadilli tha se nuk kishte punuar asnjë ditë për Sorosin dhe se nuk kishte marrë asnjë dollar prej tij.

Në përgjigjen e tij ai cekte edhe avokatin Altin Goxhaj, për të cilin tha se kishte punuar për Sorosin dhe sot ishte një nga anti-Sorosianët më të mëdhenj.

Pak çaste më pas, Goxhaj publikon një video ku tregohej Fatbardh Kadilli (Bardhi Kadiu), që vite më parë prezantohej si anëtar bordi i Lëvizjes Mjaft.

Në një emision televiziv ai prezantohej si Bardhi Kadiu dhe fliste në një panel bashkë me disa nga personat kryesorë të themelimit të Lëvizjes Mjaft si Erion Veliaj, sot kryebashkiak i Tiranës, Milva Ikonomi, sot deputete e ministre e qeverisë Rama, Besjan Pesha e të tjerë personazhe.

Deklarata e Fatbardh Kadillit në prill 2018

“Si nje nga anëtaret e grupit te punes per statutin, por dhe si person qe nuk u perfshi ne listen e deputeteve, si rrjedhoje e vendimit te Bashes, dua te bej nje sqarim te ftohte dhe te distancuar emocionalisht per debatin pa thelb qe ka plasur ne media.

  1. Statuti i partise nuk hartohet me qellim “eleminimin” e kryetarit, qofte ky dhe Lulzim Basha, por per te sanksionuar rregullat e funksionimit te partise….
  2. Te sanksionosh ne statut doreheqjen e kryetarit nese humb zgjedhjet do te thote te mbash gjithmone nje “lufte” te hapur brenda forces politike. Cdo parti ka njerez dhe grupe qe nuk e duan kryetarin dhe natyrisht humbja e zgjedhjeve do te ishta nje rast i mire per ta per te punuar kunder vetem per largimin e tij. Nese flasim per rastin e Shqiperise ku shitblerja e votes eshte kthyer ne sistem a do te ishte e moralshme ti kerkoje kryetarit te largohet ne nje gare aspak te lire dhe te ndershme? Kujtoj frazen e famshme te Sali Berishes “do te jap doreheqje diten qe do te humbas ne zgjedhje te lira e te ndershme”. Berisha dha doreheqje ne zgjedhjet qe humbi te organizuara nga ai. Pergjithesisht doreheqja eshte akt moral kur humbet zgjedhjet. Ne statutin e miratuar ne KK eshte parashikuar qartesisht se si mund te shkarkohet nje kryetar qe nuk gezon mbeshtetjen e demokrateve dhe nuk jep doreheqje.
  3.  Ndryshimet ne statut e pasuruan ate me theksin ideologjik dhe etik te djathte, rriten peshen e Keshillit Kombetar duke i dhene kompetencen te kete kandidatura alternative nga ato te kryetarit dhe disa kompetenca qe i kishte me pare Kryesia; Sot Shqiperia ka nevoje per alternative, per shprese. E keqja e Shqiperise eshte Edi Rama prandaj duhet nje bashkim i madh per ta shpetuar vendin.”

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *