Mediat turke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me arratinë e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”, Faruk Fatih Özer. Sipas gazetës turke Ersonhaber, Özer besohet se fshihet në Shqipëri prej më shumë se dy javësh.
Özer u arratis nga Turqia në drejtim të Shqipërisë duke u ulur në Rinas, ku u prit nga një çift misterioz shqiptarësh. Sipas TRT Haber, ai qëndroi në 4 pika në Tiranë. Adresa e parë e tij ishte një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë, ku pagoi për rezervimin 3-ditor në para mirëpo iku nga hoteli që në ditën e 2-të.
Pas përhapjes së shpejtë të lajmit se ai ishte i kërkuar në Turqi, ai qëndroi në shtëpinë e shoferit që e mori atë nga aeroporti, në afërsi të Pazarit të Ri në Tiranë.
Özer, i cili bëri një telefonatë përmes një aplikacioni në Internet, iu desh të largohej pasi vendndodhja e tij ishte deshifruar.
Adresa e tretë ishte Myslym Shyri. Me rritjen e operacionit dhe ndërhyrjen e policisë turke, Özer, i cili nuk mund të qëndronte atje për një kohë të gjatë, u zhvendos përsëri në një adresë tjetër në zonën e 21 Dhjetorit. Kur e kuptoi që nuk mund të qëndronte dot këtu, ai iku nga Tirana.
Sipas medieve turke, Özer thuhet se ende është brenda kufijve të Shqipërisë, por frika ekziston se mund të jetë duke kërkuar të arratiset në një vend tjetër.
Ai mund të shpëtojë duke ikur nga Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Përveç kësaj, konsiderohet gjithashtu mundësia e arratisjes së Özerit në Itali me skaf. Për këtë arsye, Fieri, Vlora dhe Durrësi në Shqipëri po ndiqen nga afër.