Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada gjermane: Berlini qartësisht kundër spekulimeve për ndryshim kufijsh në Ballkan


Ambasada gjermane i ka bërë jehonë deklaratës së zëdhënësit të qeverisë gjermane lidhur me të ashtuquajturin ‘Non paper’ për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Sipas përfaqësisë diplomatike gjermane, zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert ka pohuar sot se Berlini sheh rreziqe mbi propozimin për ndryshimin e kufijve në Ballkan përgjatë vijave etnike.

Po kështu në reagimin e qeverisë gjermane theksohet se këto ndryshime kufijsh mund të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon e të krijojnë tensione të reja.

Në fund të deklaratës së Seibert, thuhet se Gjermani mbështet integrimin europian të rajonit bazuar mbi demokracinë, reformat, shtetin ligjor e multietnicitetin.

“Referuar spekulimeve rreth zhvendosjes së kufijve në Ballkanin Perëndimor zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert ditën e  premte është pozicionuar qartë duke i dhënë përgjigje një pyetjeje të bërë në konferencën për shtyp të Qeverisë Federale:

„Lidhur me spekulimet që lexohen kohët e fundit në media mbi ndryshimet e kufijve në Ballkanin Perëndimor përgjatë vijave etnike dëshiroj t’ju them në emër të Qeverisë Federale, që në këtë kontekst ne shohim padyshim rreziqe të mundshme. Ndryshime të tilla kufijsh mund të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon. Ato mund të krijojnë tensione të rëja dhe të sjellin rishfaqjen e konflikteve të së shkuarës. Ne si Qeveri Federale mbështesim më tej rrugën evropiane dhe transatlantike të vendeve në rajon bazuar pikërisht mbi demokracinë, programin e reformave, shtetin ligjor dhe multietnicitetin. Ne inkurajojmë të gjitha vendet në rajon, të vijojnë me programin e  tyre të reformave, duke e vënë fokusin pikërisht në sistemin e drejtësisë, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar.“ – shkruhet në reagimin e ambasadës gjermane në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *