Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla doli sot në një deklaratë për mediet, për të folur lidhur me kërkesën e një grupi deputetësh për nisjen e procesit të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.
Balla tha se kërkesa për shkarkimin e kreut të shtetit është bërë për shkak se para dhe gjatë fushatës elektorale, Meta ka kryer veprime që bien ndesh me kushtetutën.
Si një prej firmëtarëve të kërkesës, Balla u shpreh se “në dokumentin shumë të plotë që kemi paraqitur janë të gjitha provat e nevojshme e domosdoshme që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë por janë dhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit”.
Sipas Ballës, kërkesa i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi. Sipas rregullores do i kalojë komisionit të ligjeve për shqyrtim që brenda një afati të përcaktuar duhet të shprehet nëse kërksa plotëson kriteret ligjore e formale.
Më pas do ngrihet komisioni hetimor parlamentar që do hetojë mbi dshimet e ngritura nga firmëtarët për presidentin.
“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e më shumë se ¼ e anëtarëve të Kuvendit, mos gaboj rreth 50 deputetë, të cilët kanë depozituar kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit, se ky i fundit para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën.
Duke u nisur dhe nga një rezolutë e mëparshme e Kuvendit që i kërkon presidentit të rikthehet në binarët e përcaktuara nga Kushtetuta, lidhur me ushtrimin e detyrës nga ana e tij, gjë që nuk ka ndodhur, pasi ai ka vazhduar edhe pas kësaj rezolute të kryejë veprime kundër ligjit. Në këtë vështrim, Kuvendi do të shprehet me vendim në ditët në vijim, lidhur me këtë kërkesë, që plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi.
Kjo kërkesë nga ana e kryetarit të Kuvendit do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve, që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa i plotëson kriteret ligjore e formale e m pas do duhet të ngrihet Komisioni hetimor, për të vërtetuar nëse qëndrojnë dyshimet e ngritura.
Besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik. Nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër përpara se Komisioni i Ligjeve ta shqyrtojë kërkesën, pasi nuk dua të ndërhyj aspak në mandatin që ka ky komision, por si një prej firmëtarëve besoj se në dokumentin shumë të plotë, që kemi paraqitur, janë të gjitha provat e nevojshme e të domosdoshme, që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por që janë edhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të Presidentit.”– tha Balla.