Kandidati i PD-së në Qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi ka publikuar një kod sigurie të një kutie votimi duke pretenduar se është një nga prova te shumta për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
I ftuar në Syri.tv, Boçi tha se kodi i ishte dhënë nga njq qytetar ndërsa shtoi se PD-ja ka prova të shumta për manipulimin e zgjedhjeve dhe se vetë kishte qenë dëshmitar i shitblerjes së votës e kërcënimeve të votuesve në Elbasan.
“Do të sjell vetëm një fakt të vogël. Duke ardhur këtu në studio më merr në telefon një qytetar. Këtu është një kod sigurie, kodi i sigurisë i kutisë së votimit, material shumë i rëndësishëm zgjedhor. Ai e ka gjetur të hedhur diku këtë kod. Kjo është vepër penale.ky kod vendoset në kutinë e sigurimit. Se e keni bërë në zgjedhjet lokale se e keni bërë në zgjedhjet e tanishme. Këto janë kode sekrete që nuk mund të dalin në publik. Atëherë për çfarë procesi zgjedhor e përkrahje popullor mund të më flasësh ti.” – tha Boçi.
Nënkryetari i bashkisë Tiranë, Mazniku, e ftoi Boçin që ta çonte sendin që kishte në dorë në prokurori duke thënë se ajo nuk provonte asgjë deri në çastin që do hetohej. Pas kësaj, shtoi ai, personat përgjegjës duhet të dalin para ligjit.
“Për sa i përket asaj gjësë që ka Boçi në dorë. Detyra e tij dhe atij që ia ka dhënë është ta çojë atë në prokurori. Ajo gjë është e vërtetueshme nga cila qendër votimi ka dalë, kush komisioner e ka pasur përgjegjësi për ta futur në kuti, kush KZAZ ka përgjegjësi, kush e ka drejtuar PD apo PS. Nëse në atë kuti ka pasur probleme, personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit cilido qoftë. Ajo gjëja që ke në dorë nuk ka asnjë lloj vlere nëse nuk çohet në prokurori.” – tha Mazniku.