Këtë paradite, kreu i PD-së Lulzim Basha ka pritur në zyrë delegacionin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, një javë pas përfundimit të procesit zgjedhor të zhvilluar më 25 prill.
Në këtë takim janë të pranishëm shefja e misionit të OSBE-ODIHR, Ursula Gacek si dhe përfaqësuesit ligjorë të PD-së, si Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi.
Fokusi i këtij takimi janë pikërisht zgjedhjet e 25 prillit, në një kohë kur OSBE-ODIHR pritet që të nxjerrë raportin përfundimtar mbi parregullsitë dhe rekomandimet e tyre mbi procesin zgjedhor.
Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e 25 prillit me 74 mandate, por opozita pretendon se ka patur krime zgjedhore dhe për këtë arsye ka dorëzuar disa kallëzime në Prokurori.
Kujtojmë se në një intervistë për DW, Urszula Gacek tha se në Shqipëri ka patur një shqetësim më të madh se shit-blerja e votës, në zgjedhjet e 25 Prillit. Ajo e quan shqetësuese keqpërdorimin e burimeve të administratës për zgjedhjet e qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit. Gacek ka pranuar se gjatë fushatës zgjedhore, partia në pushtet ka qenë më e favorizuar sepse janë hapur spitale, janë përuruar shkolla, janë prerë shirita pa fund.