Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një kërkesë për informacion kompanisë telefonike, lidhur me mesazhet fyese që u janë dërguar një numri qytetarësh në emër të tij.
Meta e konsideron këtë “keqpërdorim kriminal të mesazheve telefonike”.
“Sot, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ju drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë ‘One Telecommunications’ lidhur me keqpërdorimin kriminal të mesazheve telefonike, gjoja sikur janë dërguar nga numri i Tij personal zyrtar, në adresë të disa qytetarëve.
Sipas të dhënave të siguruara, mesazhet e manipuluara, janë dërguar nga qendra e mesazheve të kësaj kompanie telefonike.
Për këtë arsye, Presidenti Meta është në pritje nga ‘One Telecommunications’ të informacionit të nevojshëm, para nisjes së procedurave ligjore në sistemin ndërkombëtar.“– thuhet në njoftimin e publikuar nga zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi.