Kreu i një prej kompanive më të mëdha të bulmetit në Korenë e Jugut ka dhënë dorëheqjen pasi kompania e tij pretendoi se pirja e saj e kosit ndihmon për të luftuar Covid-19, duke bërë që autoritetet të fillojnë një heti ndaj reklamave të konsideruara false.
Hong Won-sik, shefi i ‘Namyang Dairy Products’, njoftoi të martën se ai nuk do e drejtojë më kompaninë, duke shtuar se ai mori përgjegjësinë e plotë për pretendimin e dyshimtë dhe skandalin që ndodhi.
Shefi i kërkimeve të Namyang pohoi muajin e kaluar se kosi ‘Bulgaris’ i kompanisë zvogëlon gjasat e infeksionit me koronavirus me 78%.
Megjithëse njoftimi paralajmëronte që rezultatet ishin nga kërkimet paraprake, pohimi bëri që shitjet e produktit të rriteshin me shpejtësi, me çmimin e aksioneve të kompanisë që shkoi në gati 30%. Sidoqoftë, pretendimi shpejt u bë objekt i vëzhgimit intensiv, me ekspertët që theksuan se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të demonstruar cilësitë antivirale të kosit.
Kompania kishte kryer hulumtimin e tyre mbi qelizat e mushkërive të majmunit, duke inkubuar virusin në enët e provës dhe duke aplikuar kos direkt në virus.
Pretendimi i dyshimtë e shtyu qeverinë e Koresë së Jugut të merrte masa. Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave akuzoi Namyang për përdorimin e informacionit mashtrues për të shitur produktin e saj, në kundërshtim me ligjin që ndalon reklamat e rreme. Policia bastisi selinë e Namyang në Seul si dhe impiantet e saj, si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm.