Një grua amerikane është befasuar gjatë një fluturimi, kur pa e ditur që ishte shtatzënë solli në jetë një fëmijë.
Siç shkruan Daily Mail, Lavinia Mounga nga Utah po fluturonte për në Hawaii të mërkurën me familjen e saj kur i filluan kontraktimet.
Historia e Mounga-s u bë virale pasi një pasagjere, Julia Hansen, e bëri të ditur lajmin në “TikTok” përmes një videoje ku thotë: “Një foshnjë sapo lindi në këtë aeroplan”.
Pamjet më pas kapin pasagjerët në bordin e fluturimit duke duartrokitur dhe uruar gruan për lindjen e pabesueshme në ajër.
Më vonë, një anëtar i ekuipazhit mund të dëgjohet duke u kërkuar udhëtarëve të qëndrojnë ulur “për të lejuar një pasagjer të kërkojë ndihmë mjekësore”.
Hansen shtoi: “Për ata që pyesnin veten se si ishte në gjendje të fluturonte në tremujorin e saj të tretë, unë u ula pranë babait të saj në aeroplan dhe ai tha që ata nuk e dinin as që ishte shtatzënë.”
Lani Bamfield, një infermiere nga Kansas City, shkroi në një postim në Facebook: “Nëse dikush do të donte të dinte se si po shkon udhëtimi ynë në Hawaii … ja si filloi.” Ajo tregon më pas se si pritën fëmijën në banjën e avionit, ndërsa fluturonin mbi oqean.
“Zoti ishte padyshim me ne atje lart.”-shkruan ajo.
Sapo zbritën në Honolulu, nëna dhe foshnja të cilën ajo e quajti Raymond Kaimana Wade Kobe Lavaki Mounga, u dërguan në spital dhe gëzojnë shëndet të plotë.
Babai i foshnjës, Ethan Magalei, shkroi në Facebook se ishte shtangur nga lajmi dhe e përshkroi ardhjen e Raymond si ‘një mrekulli’. Ai i falënderoi ata që kishin ndihmuar në lindjen e foshnjës dhe tha se shpreson të jetë ‘babai më i mirë’.