Analisti Fatos Lubonja tha mbrëmjen e sotme se nuk është normale që ambasadorët e huaj të ndërhyjnë në punët e brendshme të një vendi, siç bëjnë në Shqipëri.
Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Real Story’ në News24 iu referua përplasjes mes presidentit Meta dhe ambasadores amerikane para zgjedhjeve të 25 prillit.
“Ky argumenti që i tha amerikanëve ‘ju më vrisni…’, nuk qëndron. Nuk mendoj që është serioze që një ambasador të shkojë e t’i thotë Presidentit që ‘ne dimë diçka për ty’, nuk është serioze për ambasadorët të ndërhyjnë në punët e brendshme, siç ndërhyjnë në Shqipëri. Neve na trajtojnë sikur të jemi koloni. Ndihma e tyre vjen shumë vonë, kur digjet Shqipëria. Një President rrëzohet për krime të rënda. Ka krime që i parashikon ligji për presidentin, siç është shitja e vendit te të huajt, apo veprime të tjera të forta.” – tha Lubonja.
Ai shtoi më tej se në vend janë tre banda por është më keq dhe më e rrezikshme që kryeministri Rama t’i kapë të gjitha.
Po kështu Lubonja theksoi se të tre liderët politikë në vend mund të shkojnë nesër të pijnë kafe apo të ngjala me njëri-tjetrin ndërkohë që njerëzit zihen me njëri-tjetrin.
“Ore unë kam thënë që këtu ka tre banda, dhe këtu nuk e kam përjashtuar, por është më keq që t’i kapë të gjitha Edi Rama. Ne bëjmë sherr këtu kot, se nesër këta mund t’i shohim duke pirë kafe te “Rogner”. Ne bëjmë muhabet për njerëz që nesër shkojnë e hanë drekë me ngjala.” – shtoi Lubonja.