“Me çfarë morali kërkoni dorëheqjen e Bashës kur nuk kontribuat në fushatë?”- Kjo ishte një ndër pyetjet që iu drejtua ish-presidentit Bujar Nishani në konferencën e sotme për mediat, të grupit që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës nga Partia Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, Nishani tha se kjo ishte personale për secilin prej tyre dhe se fushata zgjedhore projektohet nga kandidati. Por pavarësisht kësaj, ai vetë ka qenë aktiv në disa zona të ndryshme të Tiranës. Madje tha se ka bërë edhe më shumë nga çfarë i është kërkuar të bëjë nga lidershipi i partisë.
“Kjo është pyetje individuale. Absolutisht kam qenë në gatishmëri dhe jam angazhuar thellësisht në fushatën elektorale. Kam qenë pjesë e aktivitetit të fushatës në disa zona të Tiranës, aty ku në radhë të parë ishte patjetër vullneti i kandidatëve sepse në radhë të parë fushatën e projekton kandidati. Kam qenë në kontakt me të gjithë kandidatët e listës së Tiranës dhe jam ftuar personalisht nga disa prej tyre.
Kam qenë konkretisht dhe kjo është e regjistruar në zonën e Kombinatit, meqenëse kam patur eksperienca në zonën e Kombinatit. Kam qenë në zonën e Domjes meqë kam patur eksperienca në Domje dhe në Vorë si përfaqësues në 2009-ën, në Kombinat në 2005-ën. Kam qenë i angazhuar në zonën e banimit tim intensivisht në Farkë dhe në Lundër. Kam qenë atje ku ka qenë lagjia ime e vjetër e banimit, tek shkolla ‘Çajupi’.
Kam bërë jo vetëm aq sa më është kërkuar por edhe më tej. Por besoj se angazhimi ynë në tërësi ka qenë konsistent përmes mendimeve intelektuale, qytetare, shqetësimeve të vazhdueshme të cilat në fund rezultuan të ishin të drejta dhe të sakta por jo të dëshiruara, pasi asnjëri prej nesh nuk e dëshironte dështimin e PD-së.”– u përgjigj Nishani.
Pyetjes ka kërkuar t’i përgjigjet edhe Edith Harxhi e cila tha se ata kanë patur dëshirë të angazhoheshin në fushatë por ishin lënë jashtë dhe kontributi i tyre nuk është kërkuar nga lidershipi i partisë.
Ajo shprehet se kjo gjë nuk i ndalon ata që të kërkojnë llogari për humbjen.
“Dua të përgjigjem edhe unë për këtë. Është e vërtetë që ne mund të mos kemi marrë pjesë në mënyrë active në fushatë. Por secili sepse nuk kemi kërkuar për të marrë pjesë active nga momenti që në njëfarë mënyre është bërë dhe largimi ynë dhe i shumë të tjerëve të cilët ju i dini nga partia. Nga ai moment ne nuk jemi afruar e nuk na është kërkuar më kontrbuti. Madje ka patur shumë nga ata prej nesh të cilët e kanë shprehur dëshirën për të kontribuuar në këto zgjedhje apo në zgjedhje të tjera.
Lidershipi nuk e ka kërkuar kurrë një gjë të tillë, por nëpërmjet kandidatëve secili prej nesh në mënyra të ndryshme jemi afruar për të dhënë ndihmesën tonë dhe kjo nuk na bën ne të pamundur për të kërkuar përgjegjësi për humbësin.
Sepse secili prej nesh ka bërë me dhjetëra fushata elektorale gjatë këtyre 30 viteve.”– tha zonja Harxhi.