Në atë që duket të jetë shfaqja e vetme e dokumentuar e dashurisë ndaj një gruaje tjetër përveç gruas së tij Jacqueline, Presidenti i SHBA-së John F. Kennedy shprehu dashurinë e tij për aristokraten suedeze, Gunilla von Post, e cila vdiq në vitin 2011.
Dy letra dashurie të nënshkruara nga presidenti i ndjerë i SHBA-së, John F. Kennedy, drejtuar aristokrates suedeze Gunilla von Post, janë vendosur në ankand në shtëpinë e ankandit ‘RR’ me bazë në Boston.
Letrat janë të viteve 1955 dhe 1956. Në letrën e vitit 1955, të nënshkruar ‘Jack’, Kennedy shprehu padurimin e tij për t’u takuar përsëri me von Post, pasi të dy u takuan rastësisht në Kanë, Francë në vitin 1953.
“Unë jam i etur për t’ju parë. A nuk është e çuditshme pas gjithë këtyre muajve? Ndoshta në fillim do të jetë paksa e vështirë pasi ne do të jemi të huaj po unë jam i sigurt se të gjitha do të funksionojnë dhe do të mendoj se edhe pse është një rrugë e gjatë për në Gunilla – ia vlen”, thuhej në letër.
Në letrën tjetër, Kennedy adresoi veçanërisht lajmin e von Post që do të martohej.
“Nëse nuk martohesh eja, ashtu siç dua të të shoh. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme verën e kaluar me ty. Është një kujtim i ndritshëm i jetës sime, ti je e mrekullueshme dhe më mungon”, shkroi Kennedy në letrën e vitit 1956.
Von Post ndërpreu kontaktet me politikanin amerikan pas fejesës së saj, duke dokumentuar më vonë lidhjen e saj me Kennedy në një kujtim të vitit 1997 me titull “Dashuri, Jack”, duke iu referuar firmës së tij në një nga letrat.
Sipas kujtimeve, Kennedy kaloi një javë të lumtur në Suedi në gusht 1955 dhe pretendohej se po bënte përpjekje për t’i dhënë fund martesës së tij dhe për të sjellë von Post në Shtetet e Bashkuara.
Të dy arritën të shiheshin vetëm një herë tjetër, në 1958, në një gala në Waldorf Astoria në New York City, ndërsa von Post ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë.
Letrat tani në ankand u gjetën në zotërim të saj pas vdekjes në vitin 2011.