Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka deklaruar se nuk heqin dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas vetëm për hir të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk na duhet nëse çmimi për këtë të ishte heqja dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas, pasi do të bëhemi sikur pluhuri i zhdukur në ajër dhe s’do të ketë kush të hyjë në Bashkimin Evropian.”- kështu ka deklaruar Zaev duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili tha të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Kështu duket se mosmarrëveshjet me Bullgarinë po mbajnë peng nisjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
Zaev tha se vendi i tij kërkon ndihmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e bllokadës bullgare. Megjithatë ai shton se shpreson në arritjen e një marrëveshjeje me Bullgarinë, gjithmonë pa prekur identitetin dhe gjuhën e Maqedonisë së Veriut.
“Edhe pse Bullgaria do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, unë shpresoj se do të mund të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e përkohshme të ekspertëve. Ne kemi arritur edhe marrëveshje tjera të mëdha, duke mbrojtur veçoritë tona kombëtare, pasi kemi të bëjmë të drejtën e vetë përcaktimit. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje që do të përcaktonte identitetin apo gjuhën tonë. Kjo është në kundërshtim edhe me parimet dhe vlerat evropiane,” – deklaroi Zaev, citon REL.
Bullgaria ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, me disa kërkesa për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Sofja kërkon që Shkupi të pranojë se gjuha dhe identiteti maqedonas para 1945 ka pasur rrënjë bullgare.