Vendosni fjalën kyçe....

Ralf Gjoni: Konflikti Rama-Meta mes dy shokësh socialist në Andropauzë, nuk na takon ne shkarkimi i Presidentit


Pas një momenti tensionesh me nënkryetaren e Kuvendit Vasilika Hysin, deputeti Ralf Gjoni mori fjalën në seancë plenare ku u ndal tek nisma për shkarkimin e Presidentit.

Gjoni tha se konfikti mes Qeverisë dhe Presidencës, është thjesht një konflikt dashurie mes dy shokësh socialistë dhe se nuk i takon këtij Parlamenti ta zgjidhë atë.

Sipas deputetit Gjoni, e vetmja gjë që mund ta zgjidhë konfliktin mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta është një darkë ngjalash. Ai thekson se Parlamenti aktual nuk mund të marrë përsipër shkarkimin e presidentit, por se kjo gjë i takon Parlamentit të ardhshëm.

“Faleminderit zonja Hysi, nuk ka nevojë për një shtypje të tillë në emër të rregullores. Ky është shkarkimi i dytë i presidentit, unë për hir të atij roli që kam patur para se të hy në parlament deri në 2017-ën, nuk mund të rri dot pa i thënë dy fjalë si një nga personat që e njoh mirë nga brenda marrëdhënien dashurore mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Ju folët për patologji si Covidi, apo ndonjë patologji tjetër. Por ka edhe një emër tjetër zonja Hysi, që quhet Andropauzë.

Kjo është histori e dy shokëve socialist që janë duke kaluar një moment të thellë andropauze, inati, urrejtje, çregullimi hormonal mes njëri-tjetrit.

Kjo nuk është një çështje shtetërore të nderuar kolegë, është një çështje mjekësore. Ministrja e shëndetësisë Manastirliu, krahas miliona vaksinave që ju keni sjellë në Shqipëri, ju lutem ngrini një ekip mjekësor për të vlerësuar stabilitetin mendor të këtyre njerëzve, që kanë uzurpuar poste të rëndësishme të shtetit siç janë Presidenti apo Kryeministri.

Është e qartë për këdo që Ilir Meta ka dalë nga binarët e Presidencës, kjo është e qartë. Nëse ka patur diçka për të cilën njihej Ilir Meta derisa nuk ishte president, ishte sjellja e tij presidenciale në çdo moment të karrierës së tij, ju vetë socialistët që e keni njohur që në ’90-tën e keni thënë se Ilir Meta ka një sjellje të çuditshme presidenciale. Sapo u bë president, u ndërrua regjistri, kaseta. Ne nga historia kemi mësuar një gjë, marrëdhënia midis këtyre dy çunave socialist, rregullohet jo me rregullore Kuvendi, jo me Komisione Hetimore por me një darkë të thjeshtë ngjalash. Mjaftojnë disa ngjala, disa shishe verë dhe marrëdhënia mes tyre rregullohet dhe dielli për 3-4 vitet e ardhshme bëhet.

Tani nëse këtyre u janë mërzitur ngjalat e Lalëzit, unë kam një sugjerim. Ta disertifikojnë njëçik menunë dhe të hanë sushi. Në Japoni ngjalave u thonë unagi, në anglisht unagi ose sushi roll. në shqip shkop i rrotulluar I cili më pas pritet në rrota. Mjaftojnë 2 tre shkopa të këtij unagit japonez, të dalin shëtitje në Lalëz dhe të na i kursejnë ne këtij Parlamenti këto teatro të shëmtuara dhe këto inate dashuriçkash midis dy shokëve socialistë. Nuk na takon ne detyra e shkarkimit të Presidentit. Nuk kemi më ne si deputetë legjitimitet moral dhe kushtetues për t’u marrë me shkarkimin e Presidentit të Republikës, i takon Parlamentit të ardhshëm.”– tha deputeti Ralf Gjoni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *