Papa Françesku ka mbështetur këtë të shtunë idenë e heqjes dorë nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat COVID-19, një propozim i bërë nga Presidenti i SHBA-ve Joe Biden që është kundërshtuar nga disa kombe Evropiane, përfshirë Gjermaninë.
Në një mesazh në video, Papa Françesku ka mbështetur thirrjet në rritje për heqjen dorë nga patentat për vaksinat.
Grupet e avokimit global argumentojnë se heqja dorë nga patentat për vaksinat Covid-19 mund të ndihmojë në zgjerimin e furnizimit global të vaksinave dhe në ngushtimin e hendekut të vaksinimit midis kombeve të pasura dhe të varfra.
Faqja zyrtare e lajmeve e Vatikanit raporton se në këtë mesazh, Papa bën thirrje për “akses universal ndaj vaksinave dhe pezullim të përkohshëm të të drejtave të pronësisë intelektuale”.
Ai i bën thirrje botës të mos harrojë më personat më vulnerabël përballë pandemisë, e cila ka “prodhuar vdekje dhe vuajtje, duke prekur jetën e të gjithëve” dhe ka përkeqësuar krizat ekzistuese shoqërore dhe mjedisore.
Papa Françesku jep këshilla gjithashtu kundër individualizmit, duke thënë që Zoti ngulit një frymë bashkësie “që na lejon të gjenerojmë një model ekonomik të ndryshëm, më gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të qëndrueshëm”.
Fjalët e Papa Françeskut vijnë pas propozimit të administratës së Bidenit, për të hequr dorë nga patentat e kompanive mbi vaksinat anti-Covid, në mënyrë që të nxitej rritja e prodhimit dhe shpërndarjes së tyre.