Spartak Braho, i cili është një nga anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, ka kërkuar që të ndalohen deklaratat për mediet nga anëtarët e këtij Komisioni.
Braho kërkoi nga kolegët që të jenë veçanërisht të kujdeshëm nga deklarimet që bëjnë për presidentin Meta. Po ashtu ai kërkoi që si provë për shkeljet e kryera të mos merren vetëm deklaratat me shkrim të Presidentit, por edhe me video.
“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që presidenti kështu, presidenti ashtu, pasi ne jemi pothuajse një gjykatë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos akuzohemi për prononcime të pamatura.
Të caktohet dikush që të flasë për mediat.
Te plani i hetimit i nderuar kryetar ne na nevojitet që të njohim jo vetëm deklarimet e presidentit, por edhe filmimet, nuk na duhen vetëm të shkruara, duhet të kemi tabelën dhe të shohim të gjitha ato imazhe që akuzojnë presidentin e republikës. Kjo nuk është e mirë vetëm për ne, por edhe për publikun”- u shpreh Braho.
Ai kërkoi që të dinte më shumë rreth buxhetit që do të ketë në dispozicion ky komision.