Spitali Infektiv ka shënuar suksesin e parë pas 14 muajsh, që nga rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri.
Mjeku Tritan Kalo shkruan se më 8 Maj është shënuar 24 orëshi i parë që prej 8 marsit të vitit të kaluar, që në shërbimin e Urgjencës së Infektivit nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me koronavirus. Asnjë!
“Kohë kovidiane…. 8.05.2021…. Njëzet e katër orëshi i parë pas datës 8.03.2020 që në Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve Infektive në QSUNT, nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me Covid-19….
E fituam këtë betejë me “flamën mbarëbotërore”, Pandeminë nga Sars-Cov2/Covid-19…”- shkruan Kalo në një postim në Facebook.
Megjithatë mjeku i njohur shton se, është ende herët për të folur me siguri për fitoren ndaj kësaj “flame mbarëbotërore” siç e quan ai pandeminë e Covid-19.
Ai kujton qytetarët se duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të respektojnë masat e rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për të shmangur infektimin me koronavirus.
“SHPEJT për të folur me siguri, POR kryesorja është se jemi në udhë të mbarë për të dalë nga tyneli i gjatë, ku po ecim prej 14 muajsh që nga mbrëmja e 8-9 Marsit 2020….
Kemi ende plot të sëmurë në gjëndje të rëndë në mjediset spitalore, po ashtu dhe jo pak të sëmurë që mjekohen në banesat e tyre….
Kemi humbur qindra e mijra të afërt, miq e shokë…. Kemi kaluar e po kalojmë momente shumë të trishta, por NE nuk jemi dorzuar…Vetndërgjegjësimi dhe vetkujdesja KURRË të mos na zbehet dhe të na mungojë edhe pas sodit…MHD ( Masat, Higjena personaledhe kolektive, Distancimi gizik) mbeten shumë të efektëshme në këtë betejë me armikun e padukshëm…”– shton ai.
Kalo thotë se vaksinimi po na ndihmon të dalim “nga ky tunel”, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që rrithen për vaksinën, që të mos ngurojnë ta bëjnë atë.