Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 58-vjeçarin Koço Buzo, i cili akuzohet se dy ditë më parë ekzekutoi me kallashnikov bashkëshorten e tij Liljana Buzo, në prezencë të djalit të tyre.
Pasi dëgjoi pretencën e prokurorit Petref Asllani, gjykatësi Bujar Musta duke vlerësuar ngjarjen e rëndë, vendosi që ta linte 58-vjeçarin në burg.
Avokati i të pandehurit Bajram Kllogjeri, e ka pranuar masën e dhënë nga Gjykata duke e cilësuar mjaft të rëndë krimin e kryer nga klienti i tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 Maj, pasi 54-vjeçarja Liljana Buzo doli nga gjykata në seancën e divorcit e shoqëruar nga dy djemtë e saj.
Bashkëshorti, i cili po e priste jashtë, i është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine.
Ai ka plagosur edhe një avokat dhe një kalimtar, që ndërhynë të neutralizonin veprimet e mëtejshme të tij.
Më pas Buzo ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga policia.
Viktima e kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtje. Ajo ishte kërcënuar një ditë para seancës gjyqësore që të mos shkonte atje nga bashkëshorti, i cili kundërshtonte divorcin.
Çifti ka tre fëmijë, dy prej të cilëve ishin dëshmitarë të krimit, ndërsa vajza ndodhet në Angli me familjen.