Vendosni fjalën kyçe....

Detaje nga vdekja e tre familjarëve nga Gjilani, flet vëllai: Më çuan këtë foto dhe më thanë se mblodhën kërpudha


Të tjera detaje zbulohen lidhur me vdekjen e familjes Haliti nga Gjilani, që gjetën vdekjen në Shqipëri si pasojë e helmimit.

Nëna e moshuar Elfetja, djali i saj Afrimi dhe nusja Ferdinazja, ishin vendosur me banim në Gjirin e Lalzit.

Ata kishin dalë në pyll dhe kishin mbledhur kërpudha, të cilat më pas i kishin konsumuar. Por pas disa orësh ata ishin ndjerë keq dhe ishin paraqitur të tre në qendrën shëndetësore të Manzës, ku pas mjekimit ishin kthyer në banesë.

Lidhur me ngjarjen po procedohen në gjendje të lirë dy mjekët e qendrës shëndetësore në Manzë, që janë marrë me rastin e tyre: mjekun Shyqyr Beqajn 54 vjeç  dhe Jonuz Karajn, 60 vjeçar, për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”. 

Kreu i qendrës shëndetësore të Manzës. Anesti Kamberi tha në një prononcim për Report Tv se janë ndjekur të gjitha protokollet dhe nuk ka pasur asnjë neglizhim nga mjekët për rastin e familjes Haliti nga Gjilani.

“Janë ndjekur të gjitha protokollet, dhe nuk ka pasur asnjë neglizhencë nga mjekët.”– tha shkurt mjeku.

Tre anëtarët e familjes Haliti nuk u kishin treguar mjekëve se kishin konsumuar kërpudha.

Pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore ndërsa qëndronin në shtëpi, ata kishin kërkuar një ambulancë nga Tirana. Kur ka shkuar urgjenca në kompleksin turistik të Gjirit Lalzit ka konstatuar se ata ishin në gjendje të rëndë. Gruaja e moshuar ndodhej në gjendje më të rëndë nga të gjithë pasi kishte dhe probleme me frymëmarrjen.

Pavarësisht ndihmës së mjekëve, të 3 pjesëtarët e familjes nga Gjilani ndërruan jetë në spital. Gjithashtu familjes i ka ngordhur edhe qeni, që mendohet se mund të ketë konsumuar kërpudha.

Vëllai i Afrim Halitit, në dëshminë e tij për policinë tregoi se familjarët i kishin dërguar një foto, duke i treguar se ata kishin qenë në pyll duke mbledhur kërpudha dhe se po kalonin shumë mire.

 “Vëllai me çoi këtë foto dhe më tha qe ‘po kalojmë mirë, kemi mbledhur kërpudha ne pyll’. Djali ka ardhur pasi mësoi se familjaret u shtruan në spital. Në polici djali tha se vëllai, nëna dhe kunata kanë konsumuar kërpudhat e mbledhura në pyllin e Lalzit. Djali do tërheqë trupat nga morgu i Tiranës, për t’i çuar në Gjilan ku do bëhet varrimi i tyre.”- ka thënë ai.

Fotoja e fundit që Afrimi i dërgoi të vëllait


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *