Vendosni fjalën kyçe....

Shënimi i vetëvrasjes ‘i falsifikuar’ – FBI publikon dosjet që pretendojnë ‘mospërputhje’ në vdekjen e Kurt Cobain


Lideri i grupit ‘Nirvana’, Kurt Cobain, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Seattle më 8 Prill 1994, me policinë që arriti në përfundimin se ylli i rokut kishte vrarë veten me një të shtënë në kokë. Por shumë të tjerë nuk janë të bindur me këtë përfundim dhe kërkojnë të vërtetën që prej asaj kohe.

Gati 30 vjet pas vdekjes së këngëtarit Kurt Cobain, Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka vendosur të publikojë dosje që japin më shumë hollësi dhe u japin zë disa teorive të tjera lidhur me vdekjen e Cobain.

Dokumenti me 10 faqe, i cili u botua përmes bibliotekës ‘The Vault’ të FBI-së, përmban disa letra dërguar zyrës në vite të ndryshme duke u kërkuar agjentëve të marrin një këndvështrim të ri mbi vdekjen e Kurt Cobain në 1994 që u përcaktua asokohe si një vetëvrasje.

Një letër, e marrë mesa duket mes viteve 2006-2007, pretendon se megjithëse ‘fillimisht u mendua dhe ende përjashtohej si e vërtetë që ai bëri vetëvrasje, që atëherë ka prova që zbuluan se ai u vra’.

Sipas autorit të letrës, i cili ishte i shqetësuar se ‘vrasësi’ i Cobain ishte ‘ende atje’, nuk kishte gjurmë gishtash në armë që ylli i Nirvana besohet të ketë qëlluar veten me të. Për më tepër, një shënim vetëvrasjeje i gjendur pranë trupit të tij të vdekur ‘duket se u shtua në fund’ me shkrimtë ndryshëm nga ai i këngëtarit. Personi gjithashtu pohoi se Courtney Love, e veja e Cobain ka vepruar në një ‘mënyrë të çuditshme’ në kohën e vdekjes së tij.

Mospërputhjet

Në një shënim tjetër, të datës 24 shtator 2003, një tifoz i shqetësuar tha se kishte ‘shumë pyetje pa përgjigje dhe mospërputhje’ në lidhje me vdekjen e Cobain. Personi citon komentet e pretenduara nga një hetues privat i Kalifornisë i punësuar nga Courtney Love në 1994 në një përpjekje për të gjetur burrin e saj një javë para se ai të gjendej i vdekur.

“Bazuar në informacionin që ai [hetuesi] ka mbledhur, ai gjithashtu beson se gruaja e tij [Cobain] kishte të bënte me ngjarjen.” – argumentoi tifozi.

Hetuesi privat i përmendur në letër besohet të jetë Tom Grant – megjithëse emri i tij u redaktua në shënimin e zbuluar, ai më vonë shfaqet në një pjesë tjetër të dosjes.

Shënimi i supozuar i ‘falsifikuar i vetëvrasjes dhe mospërputhjet’ e zbuluara nga Grant ndërsa kërkonte për Cobain në shtëpinë e tij në Seattle vetëm një ditë para se të gjendej trupi i tij u përmendën gjithashtu në një faks dërguar zyrës së FBI-së nga prodhuesit e ‘Misteret e Pazgjidhura’, një shfaqje në televizion ku po bëhej një dokumentar mbi vdekjen e yllit të muzikës.

Megjithatë FBI-ja iu përgjigj letrave duke thënë se hetimi mbi vdekjen e legjendës së muzikës nuk ishte në juridiksionin e tyre.

27-vjeçari Kurt Cobain u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Bulevardin Lake Washington në Seattle më 8 prill 1994 nga elektricisti lokal Gary Smith, vetëm disa ditë pasi kishte dalë nga një qendër rehabilitimi. Cobain thuhet se kishte vdekur tre ditë më parë, më 5 prill, nga një e shtënë me armë.

Një shënim i fshehtë i vetëvrasjes u gjet pranë trupit të tij, i cili përmbante një përqendrim të madh të heroinës dhe gjurmët e një droge që trajtonte ankthin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *