Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me deputetët aktualë të Partisë Socialiste dhe me ata të zgjedhur për 4 vitet e ardhshme. Ai foli për fitoren e mandatit të tretë qeverisës, ku ngushëlloi edhe ata të cilët nuk kanë mundur dot ta fitojnë mandatin e deputetit për Parlamentin e Ardhshëm, duke thënë se edhe ata kanë kontribuuar në këtë fitore të tretë të PS-së.
Ai u dha dhe një mesazh që të bëhen gati dhe për një fitore në zgjedhjet lokale që mbahen pas dy vitesh, si dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
“Së pari urime nga afër të gjithëve për fitoren shumë domethënëse të mandatit të tretë! Një arritje historike për PS-në, që kemi detyrimin dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme ta kthejmë në punë, në përkushtim të jashtëzakonshëm, në një arritje historike për Shqipërinë të kësaj dekade që sapo kemi hyrë.
Urimi im është për të gjithë ju papërjashtim, pavarësisht se jo të gjithë kemi dalë të lumtur në nivelin personal nga ndeshja që e fituam.
Nuk është aspak retorike kjo që po them. Sinqerisht të gjithë papërjashtim duhet të ndiheni fitues si pjesë e kësaj skuadre fituese dhe do të mendoni si fitues dhe të jeni gati të punoni në Parlament, në qeveri apo çdo nivel të ekzekutivit, për ta kthyer këtë fitore tonën në një fitore për Shqipërinë.
Pavarësisht arritjeve apo mos arritjeve individuale, të gjithë këtu pa përjashtim e kanë dhënë një kontribut në këtë fitore që është përgatitur në katër vjet, jo në katër javët e fundit të fushatës elektorale.
Dua të jemi të qartë për faktin se për mua nuk kanë asnjë rëndësi votat individuale që secili ka marrë, por vetëm realizimi i objektivit të madh, i triumfit të madh të numrit 12 të PS-së si dhe i objektivave të çdeo skuadre në nivel qarku.
Gara e brendshme në listat e hapura, e cila ndodhte për herë të parë ka sjellë të mirt e saj por edhe disa dëme asnësore që duhen analizuar me kujdes për të nxjerrë mësime për ndeshjen tjetër.
Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë rezultatin me plus 4 mandate, të cilat i kemi lënë rrugës për shkak të atyre votave të pavlefshme, që kanë zgjedhur 12 në Dibër, Shkodër, Tiranë e Elbasan, por kanë gabuar në zgjedhjen e kandidatit. Por kjo s’e bën më pak të çmuar rimarrjen e 74 mandateve.
Mesazhi im i parë për të gjithë në familjen tonë politike. Jini gati! Gati për të nisur qysh tani fitoren tjetër, edhe tjetrës më tej në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato të përgjithshme të vitit 2025.”- deklaroi Rama.