Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Nga 1 janari deri më 25 prill, u kryen 125 milionë euro transferta për Rindërtimin, SPAK nuk heton


Partia Demokratike vijon me publikimin e denoncimeve për blerjen e votave në zgjedhjet e 5 Prillit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja e zgjedhur Jorida Tabaku shprehet se nga 1 janari deri më 25 prill, janë kryer 125 milionë euro transferta qeveritare për procesin e rindërtimit në 11 bashki të vendit.

“Sot ne po bëjmë publike një provë disa herë më të rëndë nga ky operacion i manipulimit të zgjedhjeve me angazhimin në shkallë të gjerë të të gjitha institucioneve. Shifra e përditësuar e transfertave të pakushtëzuara të qeverisë për këto 11 bashki është 124.4 milion euro të dedikuara vetëm për rindërtimin. Nga këto, 73 milion euro i janë dhënë Bashkisë së Tiranës, rreth 12 milion euro Bashkisë Durrës, 10.4 milion euro Kurbinit, 5.8 milion euro Kavajës, 4.8 milion euro Kamzës etj. Të gjitha këto transferat janë miratuar dhe janë alokuar pas 1 Janarit 2021 duke shkelur Kodin Zgjedhor që e ndalon rreptësisht këtë gjatë 4 muajve të fundit përpara datës së zgjedhjeve.”- thotë Tabaku.

Deputetja e zgjedhur e Tiranës, shprehet se pavarësisht denoncimeve, SPAK nuk ka bërë asnjë veprim për të hetuar krimin zgjedhor.

DEKLARATA E TABAKUT

Ditë pas dite ne po publikojmë gjithnjë e më shumë fakte, prova dhe të dhëna për vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori të kryer nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi. Viktimat e kësaj masakre elektorale të kryer nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi janë qytetarët shqiptarë.

Një javë më parë, Partia Demokratike bëri publike një operacion në shkallë të gjerë të blerjes së votës duke përdorur fondet e rindërtimit. Sipas të dhënave të deriatëhershme, 40 milion euro ishin shpërndarë nga buxheti gjatë muajve mars-prill për ndërtimin e banesave individuale. Dëmet në banesat individuale ishin rishikuar dhe rritur disafish në mënyrë fiktive për të influencuar votën e familjeve që përfituan. Individë pa asnjë dëmtim në shtëpitë e tyre u futën në listat e përfituesve përmes një zinxhiri VKM-sh dhe Vendimesh të Këshillave Bashkiakë në 11 bashki, përfshirë Tiranën, Durrësin, Kavajën, Kamzën, Vorën, Lezhën, Laçin, Kurbinin e Mirditën.

Sot ne po bëjmë publike një provë disa herë më të rëndë nga ky operacion i manipulimit të zgjedhjeve me angazhimin në shkallë të gjerë të të gjitha institucioneve. Shifra e përditësuar e transfertave të pakushtëzuara të qeverisë për këto 11 bashki është 124.4 milion euro të dedikuara vetëm për rindërtimin. Nga këto, 73 milion euro i janë dhënë Bashkisë së Tiranës, rreth 12 milion euro Bashkisë Durrës, 10.4 milion euro Kurbinit, 5.8 milion euro Kavajës, 4.8 milion euro Kamzës etj. Të gjitha këto transferat janë miratuar dhe janë alokuar pas 1 Janarit 2021 duke shkelur Kodin Zgjedhor që e ndalon rreptësisht këtë gjatë 4 muajve të fundit përpara datës së zgjedhjeve.

Mijëra familje përfituan rritje të vlerës së dëmit nga DS1 në DS2 e deri në DS5, duke u akorduar miliona e dhjetëra miliona lekë secilës prej familjeve që përfituan nga ndryshimi i masës së dëmit. Dhjetëra VKM e VKB u miratuan nga 1 Janari 2021 deri më 25 prill për të lejuar makinerinë e manipulimit të ndikonte votën e qytetarëve. Këto janë provat e një prej operacioneve në shkallë më të gjerë të shndërrimit të shtetit në një instrument në dorë të makinerisë së deformimit të votes dhe shkrirjes së shtetit me Partinë Socialiste.

Për këtë krim ku janë përfshirë një zinxhir i gjatë institucionesh nga Këshilli i Ministrave, Këshillat Bashkiakë etj, akoma nuk është ndërmarrë një veprim hetimor nga SPAK. Ndërkohë, dhjetëra kallëzime të Partisë Demokratike për krime zgjedhore në çdo qytet e çdo fshat të vendit vazhdojnë të flenë në sirtarët e SPAK.

Beteja jonë do të zhvillohet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë: përmbysja e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve. Kjo betejë nuk ka të bëjë me PD por me të ardhmen tonë, fëmijët tanë, demokracinë tonë. Shqipëria humbi për shkak të masakrës elektorale Rama-Doshi-Rakipi Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, më e rëndësishme ose më pak e rëndësishme, do të trajtohet vetëm pasi të kemi shpalosur të gjithë përmasat e masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim nga Rama-Doshi-Rakipi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *