Vendosni fjalën kyçe....

Kina regjistron rritjen më të ngadaltë të popullsisë në dekada


Popullsia e Kinës është rritur me ritmin më të ngadaltë në disa dekada, sipas të dhënave të publikuara këtë të martë nga qeveria kineze.

Shkalla mesatare e rritjes vjetore ishte 0.53% gjatë 10 viteve të fundit. Kështu ka një rënie nga norma prej 0.57% midis viteve 2000 dhe 2010 – duke e çuar popullsinë në 1.41 miliardë.

Rezultatet shtojnë presionin mbi Pekinin për të rritur masat që çiftet të kenë më shumë foshnje dhe të shmangin një rënie të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë u krye në fund të vitit 2020, ku rreth shtatë milionë regjistrues kishin shkuar derë më derë për të mbledhur informacione nga familjet kineze.

Çfarë dimë për normën e lindjeve të Kinës?

Ning Jizhe, kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave zbuloi se 12 milion foshnje kanë lindur vitin e kaluar – një rënie e konsiderueshme nga 18 milion foshnje të porsalindura në vitin 2016.

Megjithatë ai shtoi se kjo ishte “ende një numër i konsiderueshëm”. Ning shtoi se norma më e ulët e lindshmërisë është një rezultat i natyrshëm i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kinës.

Ndërsa vendet bëhen më të zhvilluara, nivelet e lindjeve priren të bien për shkak të arsimimit ose përparësive të tjera të tilla si karriera.

Vendet fqinje si Japonia dhe Koreja e Jugut, për shembull, gjithashtu kanë patur rënie të nivelit të lindjeve në vitet e fundit, pavarësisht stimujve të ndryshëm të qeverisë për çiftet që të kenë më shumë fëmijë.

Vitin e kaluar, Koreja e Jugut regjistroi më shumë vdekje sesa lindje për herë të parë në histori, duke ngritur një alarm të ri në një vend që tashmë ka normën më të ulët të lindjeve në botë. Popullsia në tkurrje është problematike për shkak të strukturës së përmbysur të moshës, me më shumë njerëz të moshuar sesa të rinj.

Kur kjo të ndodhë, nuk do të ketë mjaft punëtorë në të ardhmen për të mbështetur të moshuarit dhe mund të ketë një kërkesë të shtuar për kujdes shëndetësor dhe social.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *