Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në minierën e Martaneshit, ku tre minatorë mbetën të asfiksuar pas një rrjedhje gazi.
Ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, thekson se në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.
Ajo që ka ndodhur sipas ministrisë, është se është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur nga minatori ai ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.
Njoftimi i Ministrisë
Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident.
Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.
Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.
Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.