Një nga pikat kryesore të rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, ishte caktimi i ekspertëve për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri të posaçme lidhur me objektin e hetimit, që është nëse Meta ka shkelur apo jo Kushtetutën me deklarata e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor.
Gjatë diskutimit, anëtarët kërkuan që në komision të ishin dy ekspertë, ndërsa një pjesë vlerësuan emrin e Erind Mërkurit.
Por Spartak Braho ndërhyri duke pyetur: “Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?”
Ai theksoi se ekspertët duhet të jenë njerëz me tituj e të vlerësuar, pasi sipas tij, një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros.
Braho tha se para zgjedhjes së ekspertëve, duhet të shohin emrat dhe të lexojnë biografinë e tyre.
“Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?
Të nderuar kolegë, procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer President është momenti më i rëndësishëm i këtij komisioni. Të mos nxitohemi. Pjesa dërrmuese e këtyre anëtarëve e dinë ç’do të thotë një ekspertizë e mirë apo e keqe. Një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros. Ky komision gjykon nëse ka shkelur apo jo Presidenti rëndë Kushtetutën, që do të thotë që ne të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, të shumë akteve të tjera të Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e tërë vendimeve, dhe fjalët e ekspertëve janë përfundimi i punës sonë.
Ekspertët duhet të kenë nivel të lartë profesional, sepse po gjykojmë Presidentin. Nuk kam vërejtje për shokët, se nuk i njoh, janë çuna të rinj, unë jam i kohës kur thërrisnim ekspert Luan Maron, por ky tani është plakur. Do të mendoja që si ekspertë përveç emrit që përmendët, që arrin deri te Doktor, ndërkohë që neve na duhen Profesorë këtu me tituj, unë do të them pse të mos jetë edhe Viktor Bumi. Nuk e kam marrë mendimin e tij, por unë do ta propozoja. Duke e njohur nga afër, vlerësimin dhe cilësitë e tij, them se ka një lloj paanshmërie. Them të mos e vendosim sot punën e ekspertëve, të shohim e të lexojmë emrat, të lexojmë biografinë e tyre dhe e votojmë ditën e premte. Na duhet një listë me disa emra.”– u shpreh Braho.