Vendosni fjalën kyçe....

Vlorë, Tiranë, Elbasan – Dy atentatet e vrasja që tronditën vendin 36 orët e fundit


Tre ngjarje të rënda kanë tronditur vendin dy ditët e fundit.  Ekzekutimi mbrëmjen e sotme në Elbasan, ku u qëllua për vdekje brenda makinës së tij Everest (Ibrahim) Çaka është i fundit në serinë që nisi mëngjesin e djeshëm në Vlorë.

Çaka u qëllua më disa plumba brenda mjetit në Elbasan duke gjetur vdekjen në spital pak çaste më vonë ndërsa bashkëshorja e tij që e shoqëronte mbeti e plagosur në dorë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Lagjen Skënderbej në një rrugë të pandriçuar dhe ku mungojnë kamerat e sigurisë.

Çaka ka qenë i akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010 si hakmarrja për të vëllanë, që ishte vrarë më herët në Spanjë nga vëllai i Alikajt.

Paraditen e djeshme një atentat i rëndë trondi Vlorën. 40-vjeçari Bledar Birçaj u qëllua me breshëri teksa po udhëtonte me mjetin e tij tip ‘BMW’ në rrugën Hajro Çakërri të qytetit bregdetar.

Dy persona me maska, pasi dalin nga një mjet tip ‘Mercedez-Benz’ qëlluan mbi 25 plumba me automati, dy prej të cilëve kapën Birçajn, i cili humbi jetën pak më vonë në spital.

Bashkë me të në makinë kanë qenë edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve oficeri i Antidrogës, Granit Deromema, i afërm i viktimës si dhe një 20-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është zbuluar ende.

Pas të shtënave me breshëri, dy autorët largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe nuk janë identifikuar ende.

Birçaj ishte pronar i një bari i një bari në Lungomare ndërsa shkonte e vinte shpesh nga Spanja. Ai ishte kthyer në Vlorë një muaj para ngjarjes së djeshme. Në janar të vitit 2011 ai u arrestua e akuzën e vrasjes së një personi por në korrik 2011 çështja ndaj tij u pushuar dhe Birçaj u la i lirë.

Mbrëmjen e djeshme një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin, kësaj here në Tiranë. Marjus Dema qëlloi me një plumb Mehmet Qemën, i cili humbi jetën në spital. Në një video të shfaqur sot, duke Dema që i drejton një pistoletë Qemës, i cili i bën shenjë me dorë që ta ulë.

Dema e Qema ishin shokë dhe në çastin e vrasjes kanë qenë të shoqëruar nga katër persona të tjerë, të gjithë shokë me njëri-tjetrin . Në dëshminë e tij në polici, autori Marjus Dema ka deklaruar se pistoletën e kishte sjellë në tavolinë viktima Qema dhe se nuk e dinte se ishte e mbushur.

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën.” – ka thënë 28-vjeçari në polici. Dema dhe katër personat e tjerë janë vetëdorëzuar në polici ditën e sotme. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *