Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi i 41-vjeçarit në Elbasan, policia shoqëron rreth 25 persona


Të tjera detaje zbulohen lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Elbasan. Viktima e këtij atentati që tronditi Elbasanin, Everest Çeka, sapo kishte marrë gruan nga puna. Ata kishin drekuar së bashku dhe ishin nisur për tek shtëpia e prindërve të Silvanës.

Por në një rrugicë 50 metra nga shtëpia e prindërve të gruas, një makinë i ka goditur nga mbrapa.

Everest Çeka ka ndaluar dhe aty është afruar një person i veshur me të zeza dhe e ka qëlluar. Ai ka marrë 15 plumba në trup duke vdekur në vend. Ndërsa gruaja ka mbetur e plagosur.

Mësohet se Silvana Çeka punon në një institucion shtetëror, ndërsa Everest Çeka kishte një muaj që ishte kthyer nga Spanja.

Të paktën 25 persona janë shoqëruar gjatë natës në lidhje me atentatin.

Sipas Balkanweb, personat janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tyre rreth dinamikës së lëvizjes së viktimës dhe gruas së tij.

Paraprakisht dyshohet se krimi është kryer nga vrasës profesionistë me pagesë dhe se gjithçka ka qenë e mirëorganizuar dhe e detajuar deri në eliminimin e objektivit.

Skena e krimit nuk është fiksuar nga kamera sigurie pasi në atë zonë ku ndodhi vrasja nuk ka të tilla dhe ndriçimi rrugor është mjaft i dobët.

Dëshmia kyçe deri më tani mbetet ajo e bashkëshortes së viktimës, Silvana Çeka, që mbeti e plagosur si edhe një banor i lagjes “Skënderbej” që ndodhej rastësisht aty pranë në makinën e tij duke pritur për të shoqëruar të ëmën e tij në banesë.

Ndërsa priste në makinë ai ka dëgjuar thirrjet e një gruaje si dhe ka fiksuar dy persona me pistoletë kur po largoheshin ndërsa kishin kryer vrasjen.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i vrasjes së 41-vjeçarit ka të bëjë me të shkuarën tij, kjo pasi Çeka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë.

Viktima që njihej edhe me emrin Ibrahim Çeka është akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010. Ngjarja kishte të bënte me vrasjen e vëllait të Çekës që dyshohet se u ekzekutua në Spanjë nga vëllai i Alikajt.

Të përfshirë në këtë ngjarje kanë qenë edhe Elton Hyka dhe Ardit (Arjan) Spahiu. Ky i fundit është kushëri me Everest Çekën dhe u ekzekutua me 8 plumba në nëntor të vitit 2020 në Belgjikë.

Arjan Spahiu nga ana e tij ka rreth miqësor me Erion Elibejn, vëllai i të cilit, Endrit Alibej u vra në rrethrrotullimin e Bradasheshit në vitin 2018. Bashkë me Alibejn mbetën të vrarë edhe daja i tij Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.

Erion Elibej është i arrestuar pasi akuzohet si porositësi dhe organizatori i vrasjeve të Emiljano Ramazanit e Regis Runajt në korrik të vitit 2020 dhe Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *