Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar më tej treguesit demografikë në vend, pasi numri i lindjeve ka qenë më i ulët se i vdekjeve në dy tremujorët e fundit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë 2021 shtesa natyrore e popullsisë shënoi nivele negative, pasi numri i jetëve të humbura ishte 3651 më i lartë se i lindjeve. Shtesa natyre e popullsisë shënoi rënie për të dytin tre mujor radhazi.
Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2021 është 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2021 rezulton 9.657, duke shënuar një rritje prej 55,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Shtesa natyrore e popullsisë, diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve në tremujorin e parë 2021, pësoi një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, nga 153 në -3.651 në 2021.
Në tremujorin e parë 2021, vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Kukësit, ku numri i lindjeve tejkalon me 10 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku vdekjet tejkalojnë me 681 numrin e lindjeve.
Lindjet rënie në tetë qarqe
Në tremujorin e parë 2021, katër qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në tetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në tremujorin e parë 2021, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.020 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 113 lindje.
Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Gjirokastrës, me 18,9 %.
Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Vlorës, me – 16,7 %.
Vdekjet rritje në të gjitha qarqet
Në tremujorin e parë 2021, të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në tremujorin e parë 2021, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 168 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 2.701 vdekje. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Korçës, me 11,5 %. Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Tiranës, me 77,5 %.
Popullsia në tkurrje të shpejtë
Statistikat e para zyrtare të popullsisë për Shqipërinë ishin regjistrimi i vitit 1923, kur vendi kishte gjithsej 823,000 banorë. Rritja e popullsisë u përshpejtua nga shpallja e pavarësisë në vitet 1912-1944 në 0.7% në vit. Kjo ishte pjesërisht për shkak se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të lindjeve dhe shkallën më të ulët të vdekjeve në Evropë në atë kohë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, politikat e rritjes së popullsisë të ndjekur nga qeveria komuniste dhe një jetëgjatësi e madhe, nxitën një rritje vjetore prej 2.5 për qind për 45 vitet e ardhshme . Pas viteve 1990, popullsia tregoi një rënie mesatare prej rreth 0.3 për qind në vit, shkaktuar nga emigrimi. Në regjistrimin e vitit 2001, popullsia u zvogëlua në 3.023.000 nga afërsisht 3.3 milion në vitin 1990.
Shtesa natyrore e popullsisë në 2011 ku u bë censi i fundit ishte 15,761 individë, teksa në 7 vite më pas përkeqësimi ka qenë shumë i lartë. Në vitin 1990 shtesa natyrore e popullsisë ishte mbi 63 mijë persona. Ndërsa aktualisht shtesa natyrorë është negative duke e çuar popullsinë e vendit drejt një rënie të parikuperueshme.
Nëse marrin në konsideratë emigracionin atëherë rënia e popullsisë në vendit tonë do të jetë më e shpejtë se të gjitha parashikimet edhe me pesimiste. Nëse kufijtë do të ishin të mbyllur për 20 vitet e ardhshme, numri i lindjeve do të ishte rritur edhe më shumë deri në vitin 2020 në krahasim me parashikimin nga skenari i rritjes së lartë pavarësisht nivelit të ulët të lindshmërisë.
Emigrimi i vazhdueshëm dhe lindjet e pakta do ta rëndojnë këtë efekt strukturor në kufizimin e rritjes natyrore në të ardhmen. Migrimi ndërkombëtar neto manifeston një tendencë të kundërt me rritjen natyrore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor