Vendosni fjalën kyçe....

Festa e Fitër Bajramit, urimet nga krerët e shtetit, politikës dhe Ambasadat: Qoftë një vit i mbarë pas periudhës së vështirë të COVID-it


Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin dhe politikanët e ambasadat në vendin tonë kanë përcjellë mesazhe urimi për qytetarët.

Presidenti i vendit Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, prej ku ka uruar festën e Fiter Bajramit për të gjithë besimtarë myslimanë. Ai tha se sakrifica e tyre duhet të frymëzojë të gjithë qytetarët për një shoqëri më solidare, më të drejtë e më të bashkuar.

“Ishte kënaqësi për të uruar sot vëllezërit e komitetit tonë mysliman me rastin e festës së Fiter Bajramit, duke uruar të gjithë besimtarët, por edhe qytetarët shqiptarë, për të vlerësuar sakrificat e tyre, sidomos gjatë kësaj periudhe të vështirë, edhe për shkak të pandemisë. Shprehim mirënjohje edhe për ndihmat që ata kanë dhënë për të sëmurët, të varfrit. Urojmë që këto sakrifica të na frymëzojnë të gjithëve për një shoqëri më solidare, më të drejtë, më njerëzore, më të bashkuar dhe më në paqe.”- tha Meta.

 

 

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij i ka uruar besimtarët përmes një videoje në “Facebook”, me pamje të xhamive.

“Gëzuar Bajramin shqiptarë kudo ndodheni.”– shkruan kryeministri krahas videos.

Kryedemokrati Lulzim Basha, me rastin e festës së Fiter Bajramit, shkoi për një vizitë në selinë e Komitetit Mysliman të Shqipërisë.

Për pak çaste ai doli në një deklaratë për mediet, nga ku uroi: “Gëzuar Fiter Bajramin, agjërim të pranuar, shpresë të përtëritur, Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Kryetarja e LSI-së Monika Krymeadhi, në një prononcim për mediat, gjithashtu ka bërë një urim.

Ajo shprehet se pas errësirës vjen drita dhe uroi që për shqiptarët të vijë një frymë e ndryshim i ri.

“Pak gri, po gjithmonë pas errësirës vjen drita. Dua t’i uroj besimtarëve pas një muaji stërmundimesh për të shlyer mëkatet e jetë, sot është dita e madhe e krijimit të jete të re, fryme të re, që kanë shqiptarët nevojë më shumë se kurrë.

I uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, sepse në këto ditë të rëndësishme, për familjen shqiptare, besimi në Zot na jep forcën, kurajon, për të gjetur angazhime të reja që janë të domosdoshme për të gjithë ne. Faleminderit dhe gëzuar të gjitha!”– tha Kryemadhi.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë shkruan në një mesazh në “Facebook” se kjo festë shënon kulmin e Ramazanit, një muaj në të cilin shumë përjetojnë domethënie, perceptim dhe frymëzim nëpërmjet agjërimit, lutjes dhe bamirësisë.

“Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, dërgojmë urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë sot Fiter Bajramin. Kjo festë shënon kulmin e Ramazanit, një muaj në të cilin shumë përjetojnë domethënie, perceptim dhe frymëzim nëpërmjet agjërimit, lutjes dhe bamirësisë. Ndërsa e gjithë bota është bashkuar në përballjen me sfidën e COVID-19, ne shpresojmë dhe urojmë që ky vit të sjellë shëndet të mirë dhe gëzim në familjet e të gjithëve! Gëzuar Bajramin!”– thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

Një mesazh urimi ka ardhur edhe nga Ambasada e Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila shkruan: “Gëzuar Fiter Bajramin 🕌 të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë 🇦🇱! Urojmë që sakrificat dhe përkushtimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të sjellin shëndet dhe lumturi për ju dhe familjet tuaja!”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *